Sport-Europa League/ Olimpiakosi, Tepër I Fortë Për Besën
- Besa, që nuk ka fituar kurrë një ndeshje në Europë (në 13 takime), përfitoi 150 mijë eurot nga shitja e së drejtës televizive -
TIRANË, 15 Korrik /ATSH- Gjergji Mima/ - Olimpiakosi i Pireut e shndërroi në një shëtitje ballafaqimin në "Qemal Stafa", teksa skuadra me më shumë tituj në Greqi fitoi lehtësisht 5-0 ndaj Besës së Kavajës në ndeshjen e parë të turit të dytë kualifikues të Ligës së Europës.
Spanjolli Oskar Gonzales çeli serinë e golave të Olimpiakosit në minutën e 19-të, përpara se 27-vjeçari të dyfishonte sërish në minutën e 31-të e mbyllur pjesën e parë 2-0.
Braziliani Alexandro Silva de Sousa, i njohur shkurt si Dudu, shënoi pa kaluar dy minuta nga fillimi i pjesë së dytë, duke mposhtur portierin Orges Shehi për herë të tretë.
Trajneri Shpëtim Duro hodhi në fushë Haxhibuliçin në vend të Sokol Cikalleshit, por sulmuesi brazilian Diogo në minutën e 70-të realizoi golin e katërt për ekipin grek. I njëjti lojtar shënoi dhe golin e pestë në minutën e 84-t për formacionin e drejtuar nga gjermani Evald Lienen.
Me rezultatin 5-0, edhe pse do të luajë në një "Karaiskaki" pa shikues, është i kualifikuar për në turin e tretë eliminator.
Gjithsesi, Besa që nuk ka fituar kurrë një ndeshje në Europë (në 13 takime), duhet të jetë e kënaqur me 150 mijë eurot që përfitoi nga shitja e së drejtës televizive.
- Europa League, turi i dytë
Besa - Olimpiakos 0-5
Shënues: Oscar 19', 31' Dudu 47', Diogo 70',84' /a.ke/