Sport-Futboll/ Migjen Basha, Pranë Grumbullimit Me Kombëtaren Shqiptare
igjen Basha dhe Edgar Cani pritet të grumbullohen nga Josip Kuzhe për miqësoren me Uzbekistanin-
TIRANË, 15 Korrik /ATSH- Gjergji Mima/ - Përfaqësuesja e Shqipërisë së shpejti do të ketë shërbimet e Migjen Bashës, mesfushorit me origjinë kosovare, që sezonin që sapo u mbyll është aktivizuar me Frosinonen në kampionatin italian dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në radhët e Atalantës në Serinë B. Federata Shqiptare e Futbollit ka përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për ta pajisur atë me pasaportë shqiptare.
Procedurat thuajse kanë përfunduar dhe mbetet vetëm "firma" e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që Migjen Bashës t'i jepet në dorë pasaporta biometrike. Besnik Çela, zyrtari i FSHF-së i ngarkuar për ndjekjen e procedurave të rastit, ka pohuar sot për ATSH-në se tashmë dokumentacioni i plotë me të dhënat e futbollistit në fjalë është në presidencë, për të marrë "firmën" e fundit nga Presidenti Topi.
Pra, është çështje ditësh që mesfushori 23-vjeçar kosovar, i lindur në Lozanë të Zvicrës, të bëhet "juridikisht" shqiptar i Shqipërisë. Trajneri Jozip Kuzhe, para miqësoreve me Malin e Zi (0-1) dhe Andorrën (1-0) e ka shprehur publikisht dëshirën për të pasur në skuadër Migjen Bashën, por edhe sulmuesin në pronësi të Palermos, Edgar Çani (i aktivizuar sezonin e fundit me Piaçencën).
Në muajin shtator Shqipëria nis fushatën eliminatore të Euro 2012-ës, por me disa pikëpyetje sa i përket formacionit. Ervin Skela, që është ende pa ekip në moshën 32-vjeçare, nuk jep garanci të plotë për dy vitet e ardhshme, ndaj kroati Kuzhe duhet të mendojë për ta zëvendësuar. Basha luan mesfushor i avancuar, pas sulmuesve, pikërisht në rolin e vlonjatit Skela, por është ende herët për të folur për aktivizimin e mundshëm të tij.
Me përfundimin e botërorit kanë mbaruar edhe ditët e pushimit për Josip Kuzhen, që duhet të vendosë brenda dy javësh për listën e lojtarëve që do të grumbullojë për miqësoren e 11 gushtit me Uzbekistanin në Shqipëri.
Migjen Basha dhe Edgar Cani me shumë mundësi do të jenë në listë, për t'i thënë mundësi Kuzhes t'i shikojë nga afër në stërvitje. Vetë kroati është shprehur rreth dy muaj më parë se nuk do t'i grumbullonte për dy miqësoret e radhës (Mali i Zi dhe Andorrë), por më pas.
Mundësia më e mirë për t'u bindur për këta dy futbollistë është pa dyshim miqësorja me Uzbekistanin, e vetmja para fillimit të kualifikueseve të Europianit./s.s./