English

Thaçi: Pas Gjnd-Së, Kosova Hyn Në Një Fazë Të Re Njohjesh

PRISHTINË, 15 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Kosova pret me optimizëm mendimin këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë dhe hyn në një fazë të re njohjesh, të fuqizimit të shtetit dhe të integrimeve euroatlantike, tha sot Kryeministri Hashim Thaçi në seancën plenare të Kuvendit. "Republika e Kosovës, institucionet dhe qytetarët e saj, janë duke e përcjellë me kujdes dhe optimizëm prezantimin e këtij opinioni këshilldhënës të paralajmëruar për 22 korrik", tha Thaçi, duke shtuar se "Qeveria e Kosovës beson se ky mendim do të jetë plotësisht në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës, me vullnetin e tyre të shprehur për shtet të pavarur dhe sovran, me vendimet e institucioneve legjitime për shpalljen e Kosovës shtet, për të jetuar si popull, po edhe si vend demokratik, multietnik mes kombeve të lira, me perspektivë për t'u integruar në NATO dhe Bashkim Evropian". Thaçi tha se "pas prezantimit të opinionit këshilldhënës, për Kosovën do të ketë një fazë të re, faza e konsolidimit dhe fuqizimit të shtetit tonë, të institucioneve tona". Po ashtu, theksoi Thaçi, "do të hapet faza e re e integrimeve edhe në NATO, edhe në BE, edhe në OKB". Ai u shpreh shumë optimist se "për Kosovën do të ketë vetëm ecje përpara, do të ketë vetëm progres, do të ketë vetëm njohje të reja dhe fuqizim të vizionit tonë për t'u anëtarësuar sa më parë në strukturat euroatlantike". /s.s./
KOMENTE