English

Vëzhgim / Qytetarët E Tiranës Vazhdojnë Të Përballen Me Kaosin Në Trafik

ANË, 15 Korrik /ATSH- M.Shkurta/. - Amullisë së krijuar prej afro katër muajsh në trafikun e Tiranës, pas fillimit të punimeve për rikonstruksionin e sheshit "Skënderbej", në këto ditë të nxehta të verës, ku temperaturat arrijnë pikun, veç numrit të madh të makinave, i është shtuar edhe ardhja e një numri të madh emigrantësh, të cilët kanë preferuar të kalojnë pushimet verore në Shqipëri. Sipas statistikave të Policisë Kufitare, deri në 11 korrik të këtij viti, kanë hyrë në kufirin shqiptar 61.783 automjete. Rrugët e kryeqytetit, gjatë gjithë ditës janë të përfshira nga një trafik i rënduar dhe stresues, që shoqërohet me vargun e pandërprerë të makinave. I futur në një kaos total, nga 28 marsi i këtij viti, në pjesën më të madhe të rrugëve të kryeqytetit, thuajse gjatë gjithë ditës, është i vështirë menaxhimi i trafikut. Sipas skemës së aplikuar nga Bashkia e kryeqytetit, pas fillimit të punimeve në sheshin "Skënderbej", ku rrethi i punimeve zgjerohet çdo çditë, funksionon normalisht vetëm 33 % e trafikut , ndërkohë që 67 % e tij përfshihet në kaos. Ndërkohë, që sipas Bashkisë së kryeqytetit, pritet edhe aplikimi i një skeme të re e respektimit të stacioneve për linjat e transportit publik, të itinerareve dhe menaxhimit të tyre. Sipas një vëzhgimi që gazetari i ATSH-së bëri të enjten në rrugët e Tiranës, ku duket se kaosi i krijuar është bërë pjesë e pandarë e jetës së kryeqytetasve, veç të tjerash, i shtohen edhe punimet e herëpasherëshme në rrugë. Të mos flasim për situatën që krijohet në qarkullimin e mjeteve para hyrjes së autostradës Tiranë- Durrës, në segmentin rrugor pranë Doganës së kryeqytetit, ku edhe për shkak të sezonit veror si dhe ardhjes së emigrantëve, është rritur ndjeshëm numri i automjeteve që kalojnë në këtë segment rrugor. I rënduar në pjesën më të madhe të ditës, është trafiku edhe në Urën pranë shkollës Teknologjike, segmentin rrugor nga Ministria e Jashtme te ATSH, për të vazhduar më tej në rrugën e Elbasanit, segmentin nga Muzeu Historik, prapa Bankës së Shtetit, segmentin nga Stacioni i Trenit në të gjithë unazën, rruga e Dibrës, etj. Të bllokuara sot ishin segmentet e rrugëve nga bulevardi "Zhan D'Ark", rruga e Kavajës, 21 Dhjetori, ku punimet e nisura prej ditësh në këtë segment, e kanë vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e mjeteve, pa folur këtu edhe për rrezikun që i kanoset kalimtarëve për shkak të mungesës së trotuareve . E rënduar, në pjesën më të madhe të çdo dite, paraqitet situata në trafik përgjatë rrugës së Durrësit, Unazën e Re dhe segmentin e rrugës pranë shkollës "Teknologjike", ku për minuta të tëra automjetet mbeten të bllokuara. Nga 28 marsi 2010, me fillimin e punimeve në sheshin "Skënderbej", shmangia e trafikut në rrugët e Tiranës ka filluar me rrugën e Kavajës, e cila ka hyrë në Unazën e Vogël, ka vijuar me rrugën e Durrësit, me të gjitha ndërhyrjet anësore, si dhe me rakordimet e rrezeve të kthimit, aty ku ka pasur probleme, siç është rasti tek kryqëzimi përpara selisë së PS-së, ndërsa devijimi i fundit ishte ai i rrugës së "Dibrës". Veç qarkullimit të madh të automjeteve, problem për Tiranën vazhdon të mbetet mungesa e vendeve të parkimit për automjetet. Në shumë rrugë të kryeqytetit, me sens kalimi në të dy anët e saj, syri të ze automjete të parkuara dyshe në njërën anë të saj, ndërkohë që nuk mungon parkimi i mjeteve në anën tjetër të rrugës. Problemet në rrugët e kryeqytetit janë të dukshme, duke filluar nga mënyra e konceptimit të ndërtimit të tyre, vendosja e sistemeve të sigurisë, sinjalistikës rrugore dhe të gjithë elementeve të tjerë. Në një pjesë të mirë të rrugëve të Tiranës mungojnë korsitë e kthimit majtas, sinjalistika horizontale me atë vertikale nuk janë në sinkron me njëra-tjetrën, rrugët në më të shumtën e tyre janë pa trotuare për këmbësorët, e shumë probleme të tjera, për të cilat përgjegjës është Enti Pronar i Rrugëve, Bashkia e Tiranës./s.s./
KOMENTE