Vlorë, Projekt Për Rivitalizimin E Qëndrës Historike Të Qytetit
VLORË, 15 korrik/ATSH-H.Koçi/.-Qendra historike e qytetit të Vlorës do të bëhet pjesë e një projekti që synon ruajtjen dhe rivitalizimin e vlerave të saj, duke realizuar investime konkrete për restaurimin e objekteve që ndodhen në të. Këto objekte, që janë ndërtuar kryesisht në vitet '20- '40-të të shekullit të kaluar, që përkon me një periudhë të zhvillimit intensiv të qytetit, përfaqësojnë vlera të spikatura të Vlorës, që mund të vihen në shërbim të një turizmi të spikatur kulturor.
Ky projekt, që do të realizohet përmes një bashkëpunimi të Bashkisë së Vlorës dhe Universitetit privat "Pavarësia", ku funksionon Departamenti i Arkitekturës, nën kujdesin dhe mbështetjen e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, do të zgjasë për një periudhë 3 vjeçare, në përfundim të të cilës parashikohet që kjo pjesë e qytetit të ketë një profil ndryshe, gjë që do të shoqërohet edhe me një hartë arkitekturore ku të përfshihen këto vlera.
Marrëveshja ndërmjet Universitetit "Pavarësia" dhe Bashkisë Vlorë për studimin, redaktimin dhe promovimin e një plani rikuperimi të qëndrës historike të Vlorës, duke ju referuar akteve të vlerës historike-monumentale të qëndrës themeluese të qytetit, ku dominojnë ndërtesa të stilit italian të viteve '20-'40, synon ruajtjen dhe vlerësimin e një pasurie të tillë arkitektonike, si për mbajtjen giallë të funksionit të dëshmisë historike dhe identifikuese të vetë qytetit, ashtu edhe për të nxjerrë në pah potencialitetin ekonomik lidhur me promovimin turistik të tij.
Me këtë rast, në mjediset e Bashkisë së Vlorës, u nënshkrua sot marrëveshja përkatëse me praninë e titullarëve të tre institucioneve që përfshihen në të.
Kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, falenderoi Konsullin e Përgjithshëm të Italisë në Vlorë, Serggio Strozzi, si dhe rektoren e Universitetit "Pavarësia", prof.Arta Musaraj, duke theksuar se ky është një hap i ri i një bashkëpunimi konkret, fryt i një iniciative të përbashkët të Konsullatës të Përgjithshme të Italisë, Universitetit privat "Pavarësia" dhe Bashkisë Vlorë, e cila është angazhuar me anë të departamentit të saj të Planifikimit urban. "Marrëveshja konsiston në identifikimin dhe rivitalizimin e objekteve historike të qëndrës kulturore të qytetit të Vlorës, si dhe në mënyrë të veçantë objekteve të identifikuara rreth viteve '20, që janë objekte kulturore te qytetit tonë. Ky është një hap i rëndësishëm për unifikimin e vlerave të qytetit tonë, për të vendosur piketat e një trashëgimie kulturore, që Vlora të jetë jo vetëm atraktive në vlerat natyrore, por edhe ato të trashëgimisë", tha Gjika.
Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Sergio Strozzi tha se "iniciativia lindi në vijim të laboratorit të rilevimit të ndërtesave historike të Vlorës, organizuar në kuadër të stinës së eventeve "Dy popuj, një det një miqësi", me universitetin "Pavarësia" dhe Bashkinë Vlorë". "Kjo iniciativë është një tregues i rëndësishëm edhe për zhvillimet ekonomike e turistike të Vlorës, pasi një qytet i rëndësishëm si Vlora, që kërkon të hyjë në Evropë, nuk mund të fshijë gjurmët e tij historike".
Rektorja e universitetit "Pavarësia", prof. Arta Musaraj, theksoi se një nga elementët e prekshëm të këtij projekti, do të jetë ndërtimi i një harte arkitekturore të qytetit të Vlorës./s.s./