Lushnjë, 15 korrik, NOA – Zëvendëskryeministri dhe lideri i LSI-së, Ilir Meta dhe ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili dhe ai i Ekonomisë Dritan Prifti kanë inauguruar në qytetet Lushnjë e Fier disa qendra të reja shëndetësore.
Në këtë takim me banorët rishtas Meta u konfirmoi banorëve se liderit të opozitës, Edi Rama do i jepet tërë asistenca e duhur nga qeveria që ai të dalë nga kjo krizë e panevojshme politike, në të cilën ka hyrë vetë.
Meta i garantoi banorët e Lushnjës dhe Fierit se realizimi i një kodi të mirë elektoral do të bëjnë që zgjedhjet e ardhshme të mos kontestohen nga askush.
Meta vizitoi ndërtimin e kryer nga fondacioni Gjysëm Hëna e Kuqe nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Zëvendëskryeministri ishte edhe në komunën Kolonjë dhe në fshatin Sheq Marin të Fierit, ku inauguroi dy qendrat e reja shëndetësore të ndërtuara brenda katër muajve. Dy qendrat i mundësojnë një shërbim shëndetësor më të mirë 1200 banorëve të zonave përreth.
Godinat e reja u mundësuan përmes thithjes së fondacioneve të huaja dhe bashkëpunimit me ministrinë e shëndetësisë.
Në këto godina janë vendosur aparatura moderne dhe bashkëkohore dhe qendrat janë të pajisura 24 orë me ujë, me kaldajë për djegien e mbeturinave të mjekimeve.
Godinat e financuara nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe kapin vlerën e 1.5 milion lekëve të reja, një bashkëpunim për të cilin zëvendëskryeministri Ilir Meta ka falënderuar drejtuesit e shoqatës arabe.
mit/NOA