Tiranë, 16 Korrik 2010 NOA - ALBtelecom mbështet rritjen dhe zbatimin e teknologjive më të fundit të informacionit në arsimin shqiptar publik dhe atë privat përmes projekteve konkrete të teknologjisë bashkëkohore.
Prezantimi u bë nga drejtuesit e kësaj kompanie, në aktivitetin më temë “Teknologjia dhe Edukimi”, në ambientet e Hotel “Sheraton”. Aktiviteti në fjalë është në mbështetje të plotë të nismave të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare për zbatimin e teknologjive më të fundit të informacionit në arsim si dhe nismës “Shqipëria në moshën e Internetit”.
Sipas Drejtorit të Shitjes, Arjan Ymeri, ALBtelecom ka infrastrukturën më të plotë dhe më të gjerë dhe me teknologjinë më bashkëkohore. Ai tha se implementimi i disa projekteve të rëndësishme do të ketë avantazhe të shumta dhe për arsimin shqiptar dhe është në vazhdën e nismave të Qeverisë Shqiptare.
“Nëpërmjet rrjetit më të gjerë dhe infrastrukturës më të plotë si dhe duke përdorur teknologjitë e reja, ALBtelecom është i gatshëm të mundësojë dixhitalizimin dhe ndërlidhjen e gjithë sistemit arsimor në Shqipëri”, tha ai.
Drejtues të ALBtelecom u shprehen se vetëm vitet e fundit, ALBtelecom ka mbështetur fuqimisht arsimin shqiptar me projekte të përbashkëta me institucionet arsimore shtetërore dhe ato private në funksion të rritjes së cilësisë dhe standardeve në sistemin arsimor shqiptar.
Sipas Drejtorit të IT dhe DATA, z. Alban Karapici, dëshmi i investimeve të kompanisë në këtë drejtim, ishte dhe projekti i përbashkët me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për instalimin e shërbimit të internetit në shkollat e nivelit bazë dhe ato të mesëm.
Ky projekt, sipas tij është realizuar në një kohë rekord, ndërkohë që në të ardhmen fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë do të kenë mundësi të njihen me teknologjinë më të fundit përmes ALBtelecom dhe investimeve që do të kryhen edhe në sistemin arsimor.
ALBtelecom ka bërë të qartë se do të vazhdojë të rrisë kapacitetet investues në rrjet dhe teknologji dhe mundësimin e shërbimeve më të fundit edhe në tregun shqiptar.
Gjatë aktivitetit, të pranishmit kanë patur mundësi të njihen konkretisht me projektet e ALBtelecom si dhe shërbimet e kësaj kompanie.
r.n/NOA