Banka Boterore: Shqiperia, Nje Histori Zhvillimi E Suksesshme Ne Shume Drejtime
-Banka Boterore diskuton strategjine e re te partneritetit me Shqiperine -
TIRANE, 16 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Bordi i Drejtorëve i Grupit të Bankës Botërore diskutoi Strategjinë e re të Partneritetit të Vendit (CPS) për Shqipërinë, kuadri për asistencën e Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë për vitet 2011 - 2014, që parashikon financime në 4 vitet e ardhshme deri në 275 milionë USD nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) dhe 120-150 milionë USD nga IFC .
Strategjia e re, (CPS) në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Shqipërisë për Zhvillimin dhe Integrimin, bazohet në dialogun e vazhdueshëm me Qeverinë shqiptare dhe konsultimet me të gjithë partnerët e zhvillimit, bën të ditur zyra e BB në Tiranë, e cila jep të gjitha të dhënat dhe vlerësimet mbi zhvillimin e ekonomisë shqiptare, të cilat janë vlerësuar së fundi në mbledhjen e Bordit.
"Shqipëria është një histori zhvillimi e suksesshme në shumë drejtime, pasi ka bërë hapa të lavdërueshëm para në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik prëgjatë dekadës së shkuar," tha Jane Armitage, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Vendin dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore.
"Megjithatë, sikurse edhe fqinjët e vet, Shqipëria tani përballet me një mjedis të jashtëm më të vështirë, si rezultat i krizës globale financiare. Grupi i Bankës Botërore ka një partneritet të gjatë dhe të frutshëm me Shqipërinë dhe ne shpresojmë të vazhdojmë mbështetjen tonë për ta ndihmuar Shqipërinë për të ruajtur ritmet e larta të rritjes, menaxhimin e mirë ekonomik dhe uljen e varfërisë. Strategjia e re e Partneritetit synon të mbështesë rimëkëmbjen e ritmeve të rritjes së Shqipërisë përmes përmirësimit të konkurrueshmërsë, dhe në të njëjtën kohë duke përmirësuar shërbimin arsimor dhe atë shëndetësor dhe duke forcuar rrjetin e mbrojtjes sociale. Veç kësaj, Strategjia do të ndihmojë Shqipërinë të përballë sfidat e reja të ndryshimeve klimatike, përmes përmirësimit të mbrojtjes dhe menaxhimit të ujit dhe rritjes së shkallës së përgatitjes në rast fatkeqësish", tha Armitage
Gjatë 10-vjeçarit të fundit, Shqipëria ka qënë një nga vendet me rritjen më të shpejtë në Evropë me rritje mesatare vjetore prej 6 për qind, e shoqëruar me ulje të shpejtë të varfërisë.
Pavarësisht nga kriza globale financiare dhe ekonomike, Shqipëria është ndër të paktat vende në Evropë që ka ruajtur nivele pozitive të rritjes dhe stabilitet financiar në vitin 2009. Veçanërisht për të ardhmen, Shqipëria gjendet para një numri sfidash të rëndësishme, sidomos si rezultat ritmeve të ulëta të rimëkëmbjes në Evropë dhe pasigurive që po ndesh ekonomia greke, një partner ekonomik i rëndësishëm.
"Mbështetur në bashkëpunimin e mëparshëm të susksesshëm të IBRD-së me IFC-në në ndërhyrje të përbashkëta në sectorë të rëndësishëm si p.sh. në energji, ku kanë bashkëpunuar qysh në fillim të hartimit të kësaj strategjie për një qasje programatike me focus në sectorë të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, duke përfshirë energjinë, rrugët, furnizimin me ujë, menaxhimin e mbetjeve, si dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit," tha George Konda, ekonomist kryesor në Departamentin e Evropës Jugore dhe Azisë Qendrore, në IFC.
Strategjia e re do të mbështesë zhvillimin e Shqipërisë dhe do të ndihmojë me sfidat kryesore siç janë: konsolidimi i pozitës fiskale për t'i bërë ballë sfidave të viteve të ardhshëm; përmirësimi i mëtejshëm i eficiencës së shpenzimeve publike duke marrë parasysh ndërkohë nevojat e mëdha infrastrukturore; përmirësimi i zbatimit të reformave rregullatore dhe institucionale për të nxitur konkurueshmërinë dhe investimet; rritja e nivelit arsimor dhe aftësive për të plotësuar kërkesën nga bizneset; dhe përmirësimi i sistemeve të mbrojtjes sociale dhe shërbimeve shëndetësore kyc duke u siguruar që të varfrit janë të mbrojtur nga lëkundjet ekonomike.
Gjithashtu, Shqipëria është ndër vendet më të prekshme nga ndryshimet klimatike dhe duhet të menaxhojë sa më mirë burimet ujore dhe përdorimin e tyre në kushtet e ndryshimeve klimatike.
Programi i përbashkët i CPS i Grupit të Bankës Botërore fokusohet në tre objektiva strategjikë: Mbështetja e një rimëkëmbjeje në nivelet e rritjes së Shqipërisë nëpërmjet konkurrueshmërisë së përmirësuar, forcimin e menaxhimit makroekonomik dhe shpenzimeve publike, përmirësimin e klimës së biznesit, zgjerimi dhe mbështetja e përfitimeve sociale duke përmirësuar shërbimet arsimore, shëndetësore, duke krijuar një rrjet të përshtatshëm sigurie; reduktimi i vulnerabiliteteve ndaj ndryshimeve klimatike, përmirësimin për ruajtjen dhe menaxhimin e ujit, përgatitjen në rast fatkeqësish.
Strategjia e re synon një program huamarrjeje më të fokusuar. Ajo përfshin angazhime të koordinuara dhe plotësuese të IBRD dhe IFC-së në sektorët prioritarë si: infrastruktura kombëtare, përfshirë energjinë dhe rrugët; infrastrukturën bashkiake me furnizimin me ujë, menaxhimin e mbetjeve të ngurta, mjedisi i biznesit. Programi i ri pasqyron një fokus nën-rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore vecanërisht në energji, tregti dhe transport dhe menaxhim fatkeqësish. Strategjia do të vazhdojë gjithashtu të mbështesë përmirësimet në qeverisje në Shqipëri nëpërmjet përdorimit të një "filtri qeverisjeje" për të gjithë projektet e financuara nga Banka me qëllim që të promovojë përmirësime në administrim, eficencë dhe transparencë në gjitha strukturat e qeverisë.
Gjatë zbatimit të Strategjisë së Asistencës për vendin (CAS) për periudhën 2006 - 2010, Shqipëria ka parë rritje të shpejtë ekonomike të shoqëruar nga një rënie të rëndësishme në varfëri. Pothuajse gjysma e të vafërve të Shqipërisë janë nxjerrë nga varfëria mes viteve 2002-2008. Në vitin 2008, Shqipëria arriti statusin e të ardhurave të mesme dhe kaloi nga niveli i fondeve koncesionare të Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) në huadhënien e IBRD, duke dërguar një sinjal pozitiv për investitorët dhe tregjet e kapitalit.
Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmirësuar kuadrin rregullator për biznesin, që pasqyrohet në treguesit dhe renditjen e përmirësuar të 'Të bërit biznes'. Shqipëria u zhvendos nga vendi i 136 në vitin 2007 në vendin e 82 në 2010. Për herë të parë në vitin 2008, Shqipëria ishte ndërmjet 10 reformatorëve më të mirë, të cilët e bënë më të lehtë bërjen e biznesit.
Aktivitetet e mbështetura nga CAS-i që synonin uljen e varfërisë dhe zhvillimin rural rezultuan shumë të suksesshme në rritjen e prodhimtarisë bujqësore, përmes sistemit ujitës të përmirësuar dhe teknologjisë, si dhe duke ndihmuar mbrojtjen e pyjeve të Shqipërisë duke sjellë kështu rritjen e të ardhurave për komunitetet e zonave largëta. Me të vërtetë, gjatë viteve 2005- 2008, Shqipëria përjetoi një ulje të shpejtë të varfërisë rurale që ndihmoi në ngushtimin e hendekut: rurale - urbane.
Programi i CAS-it ka qenë i dobishëm në mbështetjen e reformave kritike në menaxhimin e shpenzimeve publike, përfshirë një ligj të ri buxhetor dhe ligj të ri të prokurimeve, dhe procedura të menaxhimit të investimeve, si dhe privatizimin e kompanisë shpërndarëse të energjisë elektrike.
Shqipëria u bë anëtare e Bankës Botërore në vitin 1991 dhe që atëherë, 68 projekte me një total prej 1.4 miliardë USD janë mbështetur nga IDA dhe IBRD. 10 projekte me një shumë të përgjithshme prej 185 milionë USD janë financuar nga IFC. Aktualisht në Shqipëri ka 15 projekte aktive në sektorin social, shëndetësi, arsim, burime natyrore, ujë dhe energji, infrastrukturë bashkiake dhe menaxhim i sektorit publik, të cilat po e ndihmojnë të arrijë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social që shtron rrugën për integrimin evropian./n.m/