Basha : Performanca E Policisë Së Shtetit, E Rëndësishme Në Liberalizimin E Vizave
-Zhvillohet analiza e punës 6-mujore e Policisë së Shtetit-
TIRANË, 16 Korrik /ATSH - M.Shkurta/.- Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha vlerësoi sot performancën dhe rolin që Policia e Shtetit ka treguar në goditjen e krimit të organizuar, një ndër kushtet kryesore që Shqipëria duhet të plotësojë për të përfituar liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian.
I pranishëm në analizën e punës 6-mujore të Policisë së Shtetit, ministri Basha tha se "Ky 6-mujor do të hyjë në histori si më dinamiku në historinë e Policisë së Shtetit, me një raport tërësisht të plotësuar të pritshmërive, detyrave dhe vlerës së kthyer qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë".
Basha ndër të tjera, vlerësoi se "vetëm në 6 muaj, Policia e Shtetit arriti të menaxhojë me sukses situatën e përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë, mori pjesë dhe plotësoi me përkushtim detyrimet e ministrisë së Brendshme në përgjigjet ndaj kapitujve për drejtësinë, sigurinë, Pyetësorit të Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim të plotë në BE".
Ministri i Brendshëm vlerësoi rolin e Policisë së Shtetit në përmbushjen e gjithë kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave si dhe menaxhoi me sukses të plotë situatën e rendit dhe të sigurisë gjatë një periudhe të stërzgjatur protestash.
Një ndër drejtimet të cilat ai i vlerësoi në këtë analizë, është angazhimi i Policisë së Shtetit në luftën kundër kultivimit të kanabis sativa, ku janë arritur rezultate të ndjeshme në një fushatë parandaluese dhe shtrënguese, si pjesë e suksesit të arritur me ndërmarrjen e reformave më të thella strukturore në historinë e Policisë së Shtetit .
Pas largimit të misionit të fundit të ekspertëve të BE dhe inspektimit për tre kushtet e kërkuara nga BE pas dhënies së propozimit për heqjen e vizave me Shqipërinë, ministri Basha tha i binudur se "përkushtimi me të cilën Policia realizoi detyrat e saj, në kuadër të hartimit dhe vënies në funskion të Strategjisë për Riintegrimin e të Riatdhsuarve, forcimit të kapaciteteve në luftë kundër krimit dhe korrupsionit, ngritjes dhe funksionit të strukturës për Konfiskimin Aseteve Kriminale, do të jenë vendimtare në vendimin pozitiv për qytetarët shqiptarë, lëvizja e lirë në hapsirën "Shengen".
Referuar statistikave të paraqitura nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Burgaj, ministri Basha ndër të tjera vuri në dukje se "forca e zbuluese e policisë është rritur me një vlerë absolute duke zbuluar 1260 raste më shumë, një tregues i dukshëm në luftën për parandalimin e krimeve, rritjen në zbulimin dhe goditjen e krimit të organizuar , korrupsionit, krimit ekonomiko-financiar, narkotikëve, pastrimit të parave dhe trafiqeve të paligjshme".
Në 6 muajt e parë të vitit, Policia e Shtetit ka zbuluar dhe goditur 1689 krime ose 22 % e të gjitha veprave penale të ndodhura. Krahasuar me 6-mujorin e parë të 2009, sivjet janë zbuluar dhe goditur 22 %, ose 319 vepra më shumë, ku 12 për korrupsion, 69 për krimin ekonomiko financiar, 77 pastrim parash, 63 për narkotikët dhe 69 për trafiqet e paligjshme.
Rritje të forcës zbuluese janë shënuar edhe në fushën e krimeve kundër personit dhe kundër pronës. Edhe pse këtë periudhë kanë ndodhur 7 vrasje më shumë, krahasuar me një vit më parë të të njejtës periudhë, rezulton se forca zbuluese e Policisë së Shtetit paraqitet në rritje. Në këtë 6-mujor, janë zbuluar 8 vrasje më shumë vrasje, tentativa për vrasje dhe krime kundë personit në tërësi si dhe 215 krime kundër pronës.
" Pavarësisht rezultateve të arritura, kërkohet një vëmëndje më e madhe e punës së strukturave dhe punonjësve të policisë në qendër e qarqe për t'iu kundërvënë më mirë dhe më efektivisht veprimtarive kriminale me forma, metoda dhe mjete ligjore", tha ministri i Brendshëm, Basha.
Për këtë synim, Basha kërkoi që "strukturat e hetimit të krimit dhe të kontrollit të territorit t'a kenë detyrë parësore dhe duhet ta zbatojnë atë në terren në vazhdimësi".
Duke u ndalur në strukturën e re të Policisë Rrugore, ministri Basha tha se ka një përmirësim prej 9 %, që është premtues. "Vera është sfida më e madhe për Policinë Rrugore dhe do të jetë edhe treguesi më i mirë i efektivitetit të strukturës së re. Ajo që pritet është një përmirësim dyshifror i indikatorëve dhe pas kësaj, konsolidimi i kësaj përvoje në mënyrë që ajo që ka nisur sot, dhe që dëshmohet nga qytetarët si një fushatë e ethshme e strukturave të policisë, të bëhet fenomen permanent në itenerarin rrugor kombëtar, me qëllim mbrojtjen e jetëve njerëzore dhe pakësimin e fataliteteve dhe plagosjeve gjatë qarkullimit rrugor", tha Basha./n.m/