English

Be Fillon Bisedimet Për Një Marrëveshje Asocimi Me Azerbajxhanin

BAKU, 16 korrik /ATSH-AFP/ - Bashkimi Evropian filloi sot bisedime për një marrëveshje asocimi me Azerbajxhanin që mendohet të forcojë lidhjet mes Evropës dhe këtij vendi të Kaukazit të pasur me naftë. "Përgatitja dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje asocimi është një etapë e re e rëndësishme në marrëdhëniet mes BE-së dhe Azerbajxhanit. Kjo nxit integrimin e vendit tonë në Evropë", deklaroi zëvendësministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Mahmud Mamedguliev në një konferencë shtypi. "Stabiliteti dhe zhvillimi demokratik i fqinjëve tanë të Lindjes kanë një rëndësi strategjike për Evropën", theksoi negociatori i BE-së, John Kjaer. Marrëveshjet e asocimit bëjnë të mundur krijimin e një kuadri për bashkëpunim në fushat politike dhe ekonomike mes BE-së dhe disa vendeve të treta. Azerbajxhani nuk ka lidhje aq të ngushta me Bashkimin Evropian sa Gjeorgjia fqinje që ka filluar një ditë më parë bisedime të ngjashme, por ky vend është një partner i rëndësishëm i Evropës në fushën energjetike. Pjesëmarrja e Azerbajxhanit është themelore për projektin e gazsjellësit Nabuko, që duke filluar nga viti 2013, pritet të dërgojë gaz nga deti Kaspik në Evropë duke kaluar tranzit nga Turqia dhe duke e shmangur Rusinë. Azerbajxhani, ashtu si pesë ish-republika të tjera sovjetike, Armenia, Bjellorusia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina, bën pjesë në Partneritetin Lindor, një iniciativë e BE-së që synon nxitjen e demokracisë dhe të reformave në këto vende. /I.Pu.
KOMENTE