Durrës, 16 Korrik, NOA - Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të brezit të dytë të studentëve të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, së bashku me ministrin e Arsimit, Myqerem Tafaj.
Në katër vite në këtë universitet kanë studiuar 4500 studentë, ndërsa gjatë vitit akademik 2009- 2010 janë hapur programe të reja studimi, duke kompletuar në këtë mënyrë profilin akademik të universitetit.
Duke përshëndetur ceremoninë, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë dhe nderimin e veçantë, që ishte pjesëmarrës, në këtë ditë të shënuar, në jetën e çdo studenti.
“Dita e diplomimit është dita e kurorës të njërës prej ëndrrave më të bukura tuajat, por edhe të prindërve tuaj. Ju shndërroni në realitet njërin nga projektet më madhore dhe shënoni një fillim të ri, të madh për veten, familjen, Durrësin dhe mbarë shoqërinë”, u shpreh kryeministri.
Duke vlerësuar progresin e këtij universiteti në vite, ai theksoi se zhvillimi i vrullshëm i arsimit universitar shtron si emergjencë, reformimin e tij në vazhdimësi.
Në këtë kontekst, kryeministri garantoi se qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për autonominë e universiteteve.
“Historia e qytetërimit ka faktuar se universitetet kanë përmbushur misionin e tyre të zhvillimit të kombeve, vendeve, vetëm e vetëm kur ato kanë patur të garantuar pavarësinë e tyre”, tha kryeministri.
Duke shtuar se progresi i këtij universiteti është i admirueshëm, Berisha theksoi me kënaqësi faktin se sot këtu diplomohen 450 studentë, ndërsa universiteti numëron tre herë më shumë se vitin e kaluar.
n.e/NOA