Bujtinat E Qytetit "Studenti", Në Pritje Të Studentëve Të Rinj
TIRANE, 16 Korrik /ATSH-Erla Gjikolli/.- Mjedise më komode dhe shërbime të reja ofrohen në të gjitha konviktet e Qytetit "Studenti" në Tiranë, i cili po përgatitet që të presë rreth 2000 studentë të viteve të para dhe rreth 4500 të tjerë, që vijojnë studimet në universitet këtë vit të ri shkollor.
Drejtori i Qytetit "Studenti", Bujar Brovina, bëri të ditur gjatë një interviste për ATSH-në, se "regjistrimet për ata që vijojnë studimet kanë përfunduar, ndërsa ende nuk është përcaktuar data e regjstrimeve për studentët e rinj".
Me masat që ka marrë kjo drejtori, të rinjtë që do të banojnë në të 29 bujtinat (prej të cilave, 17 janë për vajzat) në Qytetin "Studenti" në Tiranë nuk do të përballen më me radhët e gjata për të marrë numrin e dhomës.
"Këtë vit, ashtu si edhe një vit më parë, të gjithë studentët mund të regjistrohen edhe online në faqen elektronike të Qytetit "Studenti", ku mund të gjejnë të gjitha të dhënat për dhomën dhe godinën ku do të strehohen për vitin akademik", tha Brovina.
Tarifa vjetore e qendrimit në Qytetin "Studenti" do të jetë rreth 35 mijë lekë, ndërsa nuk do të ketë më shumë se tre persona në një dhomë.
Dokumentacioni për të gjithë studentët për regjistrim e strehim, përfshin një çertifikatë personale, 3 fotografi, një vërtetim nga Fakulteti ku studjon si dhe një raport mjekesor.
Ndërsa për studentët e vitit të parë, pagesa e qerasë së strehimit do të behet pranë bujtinave përkatëse në prani të inspektorëve të regjistrimit dhe financës të Qytetit "Studenti", ata të viteve të tjera, do t'a derdhin pagesën në një llogari bankare, e cila do të publikohet së shpejti.
Investimet e kryera në katër vitet e fundit në bujtinat e Qytetit "Studenti" kanë përmirësuar kushtet e strehimit. Në prag të fillimit të vitit të ri akademik, drejtoria e Qytetit "Studenti" po rikonstrukton dy bujtina të tjera për studentet vajza. "Kjo, pasi ka një rritje të kërkesave për regjistrim nga vajzat", tha Brovina, duke shtuar se fluksi në rritje i regjistrimeve ka ardhur edhe si pasojë e përmirësimit të kushteve të jetesës në bujtina.
Qyteti "Studenti" ofron shërbimin e internetit në çdo dhomë, ku si në shumë vende perëndimore, studentët shqiptarë mund ta përdorin në 24 orë, kundrejt pagesës 300 lekë në muaj.
Në të gjitha bujtinat e Qytetit "Studenti" janë vendosur minilavanteri për larjen e materialeve të bujtinës, atyre private të studenteve, kundrejt një tarife, ndërsa funksionon edhe një lavanteri qendrore, që kryen larjen e të gjitha materialeve të buta, në shërbim të studenteve nga ora 08.00 - 22.00.
Rikonstruksioni në 29 godinat e Qytetit "Studenti", prej të cilave, 17 janë godina për vajza, arrin në mbi 600 mijë euro. Investime janë kryer edhe në shtrimin e rrugëve dhe zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbëra, që arrijnë deri në 10. 200 m2.
Përmirësime janë bërë edhe për kushtet në sallën e ngrënies, që ka sipërfaqe rreth 300 m2 dhe kapacitet prej 150 vendesh. Në territorin e Qytetit "Studenti" dhe përreth tij ofrojnë shërbim si menca rreth 15 operatorë tregtarë privatë. Për t'i ardhur në ndihmë studentëve, mencat në Qytetin "Studenti" ofrojnë shërbime me çmime 10% më të ulta se mencat e tjera private. Investimet në mencë, ku shërben një personel prej 13 vetësh, janë përqëndruar në përsosjen e sistemit ngrohës, ndriçimit etj, ndërsa procesi i gatimit, ruajtjes se produkteve dhe pastërtisë, monitorohen nga struktura të shëndetit publik.
Në qëndrën shëndetësore punon një personel me 7 mjekë familjeje, 1 psikolog (neuropsikiatër), 1 laborante, 1 sanitare, 4 infermiere dhe një autoambulancë, në gjendje gatishmërie të përhershme. Në këtë qendër ofrohen dhe 2 shërbime private si, ai stomatologjik dhe farmaci. /a.ke/