Doda:Shteti Shqiptar Ka Të Drejtën Morale Dhe Ligjore Të Hetojë Për Masakrën E Tivarit
TIRANË, 16 Korrik/ATSH/.- "Shteti shqiptar ka gjithë të drejtën dhe detyrimin moral e ligjor të hetojë për masakrën e Tivarit ku humbën jetën me mijëra shqiptarë të pafajshëm", deklaroi sot për mediat deputetja e PD-së, Mesila Doda.
Ajo kundërshtoi argumentin e përdorur nga opozita për të mos marrë pjesë në komisionin parlamentar që do të hetojë për këtë ngjarje.
"Argumenti se shteti shqiptar nuk është vendi i masakrës nuk qëndron. Në vitin 1945 Kosova nuk ishte shtet dhe i vetmi shtet shqiptar i implikuar drejtpërdrejtë në këtë masakër, përgjegjësia dhe bashkëfajësia e të cilit duhet të ndriçohet ishte shteti që drejtohej nga klika komuniste e Enver Hoxhes", tha Doda.
Sipas saj, "komisioni për hetimin e genocidit të Tivarit do të hetojë mbi implikimin e individëve dhe shtetit komunist megjithë këmbënguljen e socialistëve të sotëm, të cilët mbrojnë xhelatët e dikurshëm, për të mbajtur të fshehur krimet e etërve të tyre".
Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me votat e maxhorancës ngritjen e një komisioni hetimor për të zbardhur të vërtetën mbi masakrën e Tivarit, ku në vitin 1945 u ekzekutuan mbi 4500 shqiptarë./a.g/a.s/