Durrës, 16 korrik, NOA – Pasi tentuan të vrisnin një shtetas mbrëmë në Durrës, por vetëm e kanë plagosur me pistoletë, janë larguar nga vendngjarja.
Policia e Durrësit bëri të ditur se mbrëmë, në orën, 20.30, në lagjen 13 në Durrës, dhe pikërisht në lokalin “Laguna“, është plagosur me armë zjarri pistoletë një 40 vjeçar me iniciale G.A., banues në Forinë të Gostivarit.
I plagosuri ishte shqiptar me nënshtetësi maqedonase dhe punonte si kuzhinier në këtë lokal.
Mbrëmë G.A. është qëlluar në tentativë për ta vrarë nga tre persona, të cilët tashmë janë identifikuar nga policia e Durrësit.
Shtetasit e shpallur në kërkim për këtë ngjarje janë 30 vjeçari Ervis Qarri; 28 vjeçari Geri Berdaku dhe vëllai i tij 26 vjeçari Ali Berdaku, që të tre banorë në Durrës.
Sikundër bën të ditur policia nga informacionet e marra në vendngjarje të tre personat pasi tentuan të vrisnin shtetasin maqedonas G.A, janë larguar menjëherë nga vendngjarja për t’iu shmangur kapjes dhe hetimit nga policia.
Policia nga hetimet e deritanishme dyshon se shkaku i ngjarjes në fjalë është është një konflikt për motive të dobëta.
I dëmtuari, të cilin policia nuk e identifikon, ka marrë ndihmën mjekësore të nevojshme dhe aktualisht gjendja e tij paraqitet jashtë rrezikut për jetën.
Kundrejt tre autorëve të ngjarjes është ngritur tashmë padia penale për vrasje me dashje të mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake.
mit/NOA