English

Kola: Në 6 Muaj, Numri I Bizneseve Të Reja U Rrit 48 %

TIRANE 16 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/-Numri i bizneseve të reja të regjistruara në gjashtëmujorin e parë të këtij viti u rrit me 48% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2009-tës, duke regjistruar 10.500 të tilla. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tom Kola prezantoi sot për mediat shifrat si një tregues i ecurisë pozitive të ekonomisë shqiptare. Sipas tij, tjetër tregues pozitiv është rënia e numrit të bizneseve të çregjistruara, që për gjashtë muajt e parë të këtij viti ranë me 18% krahasuar me një vit më parë. "Në vlerë absolute, deri në fund të muajit qershor në QKR u regjistruan rreth 10.500 biznese të reja, ndërsa u çregjistruan rreth 2.900 të tilla. Dinamika e bizneseve të reja rezulton me rritje kryesisht në rrethet Tiranë, Durrës, Fier dhe Lushnje", tha Kola. Nga statistikat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit rezulton se në Shqipëri ushtrojnë aktivitet rreth 133 mijë biznese aktive, nga të cilat 87% janë persona fizikë. Sipas një vlerësimi të QKR, rreth 4% e shqiptarëve zotërojnë një biznes. Qendra Kombëtare e Rregjistrimit të biznesit (QKR) që u hap në shtator, 2007 ofron sportelet "one-stop-shop" për regjistrimin e biznesit, një shërbim në sportel të vetëm për të gjitha llojet e biznesit në gjithë vendin, ku numurohen 80 të tillë. Në këto sportele kryen aplikimet për të gjitha proceset e regjistrimit të biznesit, regjistrimin e taksave në nivel kombëtar dhe vendor (bashkiak), sigurimin shëndetësor dhe shoqëror, Inspektoriatin e Punës dhe Institutin Kombëtar të Statistikave. Procedurat elektronike që Zbatohen në QKR kanë bërë që Regjistri Tregtar shqiptar dhe regjistrimi i biznesit të përputhen plotësisht me të gjitha direktivat e Bashkimit Europian. Ato janë plotësisht të aksesueshëm për përdoruesit e bizneseve si shqiptarë, dhe të huaj. Hapja e QKR sipas modelit "One stop shop" u mbështet nga programi i Sfidës së Mijëvjeçarit të financuar nga SHBA dhe e zbatuar nga qeveria shqiptare dhe USAID./n.m/
KOMENTE