Kreu I Bashkisë Së Vorës Dëshmon Për Çështjen "Gërdeci"
-Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Tiranës-
TIRANË, 16 Korrik/ATSH/ . - Kreu i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili dëshmoi sot në Gjykatën e Tiranës në seancën e radhës për çështjen "Gërdeci", që numëron 29 persona me cilësinë e të pandehurit, në pjesën më të madhe ish-drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë.
Para Gjykatës, Ismaili mohoi të kishte patur dijeni mbi aktivitetin në fushën e demontimit të municioneve luftarake që zhvillohej në ish- repartin ushtarak në fshatin Gërdec të Bashkisë së Vorës.
Sipas tij, "si kryetar i Bashkisë nuk kisha kompetenca që të merrja informacion mbi veprimtarinë e zhvilluar në ish- repartin ushtarak të Gërdecit".
Ismaili dëshmoi dhe për një korespondencë që kishte patur me Ministrinë e Mbrojtjes para shpërthimit në ish- repartin e Gërdecit. Sikurse pohoi ai, Bashkia e Vorës i kishte nisur një shkresë Ministrisë së Mbrojtjes, ku i kërkonte kthimin e repartit të Gërdecit në një terren sportiv, por nuk kishte marrë përgjigje prej saj.
Gjithashtu, ai dëshmoi mbi masat e marra pas ngjarjes së rëndë të Gërdecit, duke përmendur ngritjen e grupit të emergjencës civile për të ndihmuar banorët e dëmtuar dhe shpërndarjen e dëmshpërblimit financiar të Qeverisë për të dëmtuarit.
Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Çështja "Gërdeci" konsiderohet më e madhja në historinë gjyqësore në këto vitet e fundit, me 29 të pandehur dhe mbi 300 dëshmitarë, të cilët aktualisht janë duke dhënë dëshmitë e tyre para Gjykatës. /a.m//a.ke/