English

Mbresa/ Në Kërkim Dhe Gjetje Të Afp -Së

ELBASAN, 16 Korrik /ATSH, Miranda Sadiku/ - Në vitet e fundit të diktaturës komuniste, i apasionuari pas frëngjishtes, Nafiz Shmili nga Elbasani pasi mbyllte dyer e dritare në banesën e tij, kërkonte valët e radio AFP, që transmetonte lajmet e Agjencisë Franceze të Lajmeve, jo vetëm për të përsoste njohuritë në gjuhën aq të dashur për të, por edhe për të dëgjuar të vërtetat e mohuara nga diktatura. Por "syri vigjilent i Partisë" e pikasi këtë pasion të mësuesit të nderuar dhe ai përfundoi, nga një mësues i talentuar në roje nate!. Një shembull i hidhur i shkëputur mes qindrash të tjerë, që kërkonin valët e AFP-së, stacionit të dashur për dëgjuesit shqiptarë. Një agjensi aq e kërkuar, e prekur dhe nga unë në fillim të këtij korriku, kur një fat në profesionin tim si gazetare më dërgoi para dyerve të kësaj agjensie të madhe lajmesh. Gjeta aty më shumë se ç'pata parashikuar ... Një godinë e madhe gati në qendër të Parisit, Agjensia Press France, ku në mjediset e saj me qindra gazetarë, redaktorë, fotografë, grafistë, etj, të ulur në tavolinat e tyre, përshëndesnin dhe vazhdojnë sërisht punën. Në këtë agjenci lajmesh ka 6 departamente, ku secili ka një staf prej rreth 50 - 60 gazetarësh. Një javë në departamentin e Kulturës, Shkencës dhe Mjedisit, ishte plot me të papritura dhe informacione të shumta. Shumë gazetarë të njohur jo vetëm në Francë por edhe në Amerikë, Angli e gjetkë, shkruanin për kulturën në Paris si edhe në vende të ndryshme të botës. Marlowe Hood që punon në këtë departament thotë gjatë një bashkëbisedimi se e njeh Shqipërinë dhe dëshiron ta vizitojë atë. Marlowe ishte duke shkruajtur një zbulim të fundit të shkencëtarëve për një balenë grabitqare me nofulla dhe me dhëmbë të mëdha, që ndoshta ka gjuajtur kafshët e tjera sa gjysma e trupit të tij. Të nesërmen ky lajm i botuar në AFP ndodhej në shumë gazeta të përditshme. Marlowe është një prej gazetarëve me përvojë në fushën e shkencës, që punon prej 15 vitesh në AFP dhe rreth 4 vjet në këtë departament. Si ai janë edhe shumë gazetarë të tjerë, si Xheremi, Richard etj. Në departamentin e fotove, ku punon një staf i madh, nën drejtimin e shefit, Mladen Antonov, realizojnë një sërë albume fotosh nga e gjithë bota, ku punohet 24 orë në 24. "Janë 300 fotografë në të gjithë botën që punojnë për AFP, ndërsa kemi pesë qendra të mëdha: në Paris, Amerikë, Uashington, Hong Kong në Nikozia, pa lënë këtu edhe Shqipërinë dhe Kosovën. Këtu përdorim satelitët për foto dhe në ditë daunlodohen më shumë se 400 mijë foto", flet për ditën e punës Antonov. Ai tregon se " në AFP kemi një arshivë prej rreth 8 milion foto, pjesa më e madhe në kompjuter dhe të hedhura edhe në CD, foto që nga fillim shekulli i XIX". Kërkoj në internet ku ndeshem me këtë agjensi, që më dhuron gjithnjë një kënaqësi të veçantë, se më përcjell botën e madhe sikur të ishte vetëm brenda mureve të shtëpisë sime. Teknikat dhe teknologjitë e informacionit gjithnjë ecin përpara dhe është AFP, ajo që para çdo agjencie tjetër, na tërheq për ta kuptuar gjithçka lidhet me profesionin e gazetarit. Fondacioni i AFP-së, që drejtohet nga Robert Holloway më dha shansin, si shumë gazetarëve të tjerë në vende të ndryshme të botës si Vietnam, Liban, Afrikë, Arabi Saudite, etj, për t'u trajnuar në zyrat e Agjencisë të famshme lajmesh në zhanre të ndryshme të publicistikës./n.m/
KOMENTE