Merkel Në Kinë, Marrëveshje Prej Miliarda Dollarësh
PEKIN, 16 korrik /ATSH-ANSA/ - Kina dhe Gjermania nënshkruan sot në Pekin disa kontrata me vlerë miliarda dollarë, gjatë vizitës në Kinë të kancelares gjermane Angela Merkel. Vizita e Merkel dhe intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve dëshmojnë se tashmë është lënë prapa kriza e vogël që lindi tre vjet më parë kur kancelarja priti Dalai Lamën, liderin shpirtëror tibetian që konsiderohet nga Pekini si një separatist.
Ndër kontratat e nënshkruara sot, shkruan agjencia e lajmeve "Kina e Re", është një prej 3.3 miliardë dollarësh ndërmjet Siemensit gjerman dhe Shanghai Electric Power Generation Equipment, për prodhimin e turbinave me gaz dhe një sipërmarrje të përbashkët ndërmjet Dalmier AG dhe Beiqi Foton Motor Corporation, për prodhimin e kamionëve të peshave të lehta dhe të rënda.
Gjatë takimit të me kryeministrin Wen Jiabao, Merkel e ftoi Kinën të eliminojë barrierat proteksioniste dhe të lejojë konkurrencën e barabartë ndërmjet korporatave kineze dhe atyre të huaja.
Duke iu referuar krizave financiare në Evropë, Web Jiabao kujtoi se "Kina ...gjithmonë ka dhënë ndihmën e saj në momentet e vështira" dhe u deklarua "i bindur se me një punë të fortë të komunitetit ndërkombëtar, Evropa do t'i kalojë me siguri vështirësitë e saj".
Më pas Merkel u prit nga presidenti Hu Jintao.
Merkel, në vizitën e saj të katërt në Kinë, do të vizitojë edhe qytetin Xian, në veri të vendit, ku ndodhen luftëtarët e terakotës, para se të kthehet në Gjermani.
/e.v/