Ministri Prifti Reagon Ndaj Padise Qe Ps Ka Ngritur Ndaj Tij
TIRANE, 16 Korrik/ATSH/- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti reagoi sot ndaj padisë penale që Partia Socialiste ka ndërmarrë ndaj tij, duke deklaruar se "e mirëpret këtë padi".
Ministri Prifti i kërkoi Edi Ramës që "gjyqi të bëhet i hapur për mediat dhe opinionin publik, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të kuptojnë se kush është në të vërtetë kryetari i opozitës".
Në një prononcim për mediat, ministri Prifti, ritheksoi akuzat ndaj kryetarit të PS, duke u shprehur mes të tjerave, se "Edi Rama është një njeri i pa sinqertë, që fsheh të vërteta të mëdha dhe të dhimbshme për veten e vet, pasi nuk ka shqiptar që beson se Edi Rama është i pastrehë. Përkundrazi, ka me qindra prona të shpërndara në emra miqsh e shokësh në të gjithë vendin, nga Durrësi, në Korçë, në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë".
PS ngriti dje një padi penale ndaj ministrit Dritan Prifti, për akuzat që ky i fundit drejtoi dje në Parlament ndaj kryetarit të opozitës, Edi Rama./e.xh//n.m/