English

Negociatat, takim i ri i pritshëm Ruçi-Patozi

Tiranë, 16 Korrik, NOA – Ndërsa pak ditë më parë janë takuar për herë të parë në një tryezë për të diskutuar opsionet e zgjidhjes së krizës politike në vend, sot pritet që të ketë një takim të ri mes dy krerëve të grupeve parlamentare PS-PD për këtë çështje.

Kështu, të mandatuar nga selitë përkatëse për të negociuar mbi zgjedhjen e krizës politike, deputetët Asrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, pritet që të ulen sërish sot në një tryezë përballë njëri-tjetrit.

Këtë herë, bëhet me dije për agjencinë e Lajmeve NOA se takimi i tyre do të jetë për të dorëzuar draft-rezolutën me propozimet përkatëse për zgjidhjen e ngërçit politik.

Kështu, nëse herën e parë u ra dakord në parim për disa pika sesi secila palë mendon që ta zgjidhë krizën politike, këtë herë pritet që ato të jenë të dokumentuara në rezoluta përkatëse.

Në fillim të kësaj jave, Ruçi dhe Patozi gjatë një diskutimi që patën në Kryesinë e Kuvendit morën në shqyrtim të gjitha mundësitë për zgjidhjen e çështjes së transparencës së zgjedhjeve, e kërkuar kjo me ngulm nga deputetët e opozitës.

Në një kohë, që mësohet se pika e përbashkët për të cilën kanë rënë dakord ka qenë ajo e ngritjes së një komisioni hetimor për zgjedhjet, ndërsa diskutimet kanë ngecur tek kutitë dhe fletët e votimit.

Këto të fundit, sipas mazhorancës, duhet të asgjësohen sipas afatit që parashikon Kodi Zgjedhor, ndërsa deputetët e opozitës paraqiten totalisht kundër kësaj, duke pohuar se pikërisht në ato kuti fshihet e vërteta e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

n.e/NOA

KOMENTE