"Dy deputetë, njëri i larguar nga Partia Socialiste, aktual në sallën e Kuvendit, dhe një tjetër pjesë e mazhorancës, kanë treguar që kur i ka thirrur Edi Rama në shtëpinë e tij në Pezë, Edi Rama i ka pritur i veshur me të brendshme grash, me tanga. Kjo është qesharake dhe nuk është faji im që të mendoj që ai njeri është pervers seksual dhe ka orientime seksuale qesharake"
Tiranë, 16 korrik, NOA – Në përgjigje të padisë penale të ngritur dje nga Partia Socialiste, ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti është përgjigjur sot se e mirëpret padinë e liderit Rama madje ai mendon se është gati për një gjyq të hapur në sallën e “Pallatit të Kongreseve”.
Ministri Prifti në reagimin e tij për mediat nuk i ka lënë mënjanë akuzat për preferencat seksuale të kryesocialistit Edi Rama.
“Edi Rama ka prirje seksuale perverse”, nënvizoi ministri i Ekonomisë. Këtë sipas tij e kanë deklaruar edhe dy deputetë të tjerë, të cilët janë sot në Parlamentin Shqiptar, njëri prej tyre sipas Priftit bën pjesë në një formacion të ri politik. “Këta deputetë, vijoi Prifti, “e kanë parë Ramën me të brendshme grash, kështu i ka pritur ai në shtëpi”.
"Edi Rama fsheh të vërteta të mëdha dhe të dhimbshme, për të cilat kam folur edhe me drejtues të tjerë të PS-së", theksoi ministri Prifti.
Duke mos kursyer akuzat e rënda ndaj kreut të opozitës, që erdhën pikërisht pas akuzave të ngritura nga selia rozë për shtimin e të ardhurave në pasurinë e Priftit me 1.8 milion euro, ministri i Ekonomisë vuri rishtas në dukje se lideri socialist përdor drogë.
“E kam parë me sytë e mi, tha Prifti, duke marrë drogë në tavolinën e punës, edhe në Bashki”.
Vetëm një ditë më parë, pasi ministri Prifti artikuloi në seancë plenare akuzat e rënda ndaj kreut të PS-së, Rama për përdorim droge që i kushtonte 3000 euro, Partia Socialiste përmes një deklarate për shtyp të zëdhënëses së selisë rozë, Armela Imeraj, deklaroi se do të ngrejë një padi penale ndaj ministrit të Ekonomisë, Turizmit dhe Energjitikës, Dritan Prifti, një padi që duket se ministri do t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb.
mit/NOA