Përmbledhje - Amerika Ndihet E Lehtësuar Pas Ndalimit Të Rrjedhjes Së Naftës Por Mbetet E Kujdesshme
NJU ORLINS, 16 korrik /ATSH-AFP/ - Amerikanët shprehin lehtësimin pas ndalimit të rrjedhjes së naftës në Gjirin e Meksikës, por megjithatë, presidenti Barack Obama u bën thirrje bashkëpatriotëve të "mos jenë tepër optimistë" për sa kohë pusi nuk është plotësisht nën kontroll.
Rrjedha e madhe që përhapte çdo ditë miliona litra naftë bruto në oqean ndaloi dje gjatë testit për verifikimin e rezistencës së pusit.
Rrjedhja që shkaktoi shtresën më të madhe të naftës në historinë e Shteteve të Bashkuara ndaloi kur valvulat e një hinke të re të vendosur të hënën u mbyllën, pothuaj tre muaj pas mbytjes së platformës BP Deepwater Horizon, shkaktare e katastrofës.
"Hinka e re është një lajm i mirë", deklaroi sot presidenti Obama në një intervistë dhënë që nga Shtëpia e Bardhë, duke kujtuar se ky mekanizëm do të bënte të mundur ndalimin e rrjedhjes ose të pjesës më të madhe të saj.
Megjithatë, presidenti amerikan theksoi se nuk duhet të thërrasim për fitore shumë herët. "Është e rëndësishme që të ruajmë gjakftohtësinë", deklaroi ai duke kujtuar punën që duhet të bëhet ende.
"Shkencëtarët dhe ekspertët tanë po përpiqen të përcaktojnë nëse mund ta mbyllim pusin duke përdorur hinkën e re pa patur probleme", deklaroi Obama, duke përmendur rrezikun e rrjedhjeve të tjera të naftës.
Ky është një nga shqetësimet kryesore të ekipeve në vend: mundësia që nafta, e mbyllur nën presion në pusin e bllokuar me mekanizmin hinkë, të arrijë të krijojë të çara dhe të përhapet përsëri në oqean.
Kompania britanike BP po përpiqet të sigurohet për mungesën e rrjedhjes deri në katër kilometra thellësi.
"Deri tani, rezultatet janë inkurajuese", theksoi sot Kent Wells, zëvendëspresident i BP-së. "Kemi dy robotë që po shqyrtojnë fundin e oqeanit rreth pusit dhe nuk kemi vërejtur praninë e naftës.
Ai theksoi se është ende shumë herët për të nxjerrë konkluzione dhe se duhet të presim që testi i rezistencës së pusit të përfundojë. Nëse ky i fundit del bindës, atëherë hinka mund të hyjë përfundimisht në funksion.
Megjithatë, presidenti Obama kujtoi se zgjidhja e vetme përfundimtare e problemit do të jetë vënia në funksionim në gusht e dy puseve paralele.
"Është një qetësim i madh lajmi se rrjedhja e naftës ka ndaluar", shprehu kënaqësinë Sierra Club, organizata më e madhe amerikane për mbrojtjen e ambientit.
"Tani duhet të merremi me problemet që shkaktuan shtresën e naftës", shtoi organizata, që i bëri thirrje presidentit të ushtrojë kontroll mbi sektorin e naftës
Në frontin ekonomik, një artikull i publikuar në "Financial Times", duket se konfirmonte se BP-ja po bëhet gati për shitje masive aktivash, që mund të shkojnë deri në rreth 20 miliardë dollarë për të përballuar koston e kësaj krize, për të cilën kompania britanike ka qenë e detyruar të shpenzojë më tepër se 3,5 miliardë dollarë.
/I.Pu.