Pipero: "Ministria E Shëndetësisë Nuk Ndërhyn Në Organizimin E Tenderave Të Medikamenteve"
TIRANA, 16 Korrik/ATSH - Gjergji Mima/ - Drejtori i Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, kundërshtoi para mediave sot akuzat e ngritura dje në Kuvend nga opozita rreth punës dhe veprimtarisë së ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas tij, "ministria e Shëndetësisë nuk prokuron, nuk blen dhe nuk organizon tendera për medikamente dhe për ilaçe prej 2 vjetësh dhe kjo është e sanksionuar me ligj dhe me vendim të Qeverisë shqiptare".
Duke iu referuar organizimit të tenderave, Pipero u shpreh se, "të gjitha proceset e prokurimit publik për tenderat e medikamenteve janë elektronike dhe organizohen nga spitalet rajonale të vendit, të financuara nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Kjo i bën spitalet rajonale totalisht të pavarur në organizimin, realizimin dhe menaxhimin e procesit të tenderimit të medikamenteve".
Sipas tij, "roli i ministrisë së Shëndetësisë në këtë proçes është që të kontrollohet zbatimi i ligjit të prokurimeve publike, të realizohen investimet dhe tenderat për medikamente në kohë, kontrollon dhe monitoron proçedurat ligjore, por asnjëherë nuk ndërhyn dhe nuk ka hapësirë për të ndërhyrë në organizmin e tyre".
Proçedurat i nënshtrohen ligjit të prokurimit publik dhe bëhen nëpërmjet Agjencisë së Prokurimeve Publike në mënyrë elektronike, sqaroi Pipero.
Lidhur me akuzat e deputetëve të opozitës, Pipero shtoi se, "deputetë të opozitës, të cilët kanë konflikt të hapur interesi, janë pronarë të aktiviteteve farmaceutike në nivel depoje farmaceutike, apo farmacie. Ata nuk kanë absolutisht interes transparencën e tenderave, realizimin e tenderave të medikamenteve në kohë, furnizimin e spitaleve me medikamente në kohë dhe natyrisht dhënien e ndihmës shëndetësore të kualifikuar pacientëve, por kanë vetëm interesin e përfitimit personal, apo ruajtjen e interesave të tyre në këtë proçes". /a.ke/