Tiranë, 16 korrik, NOA - Ndaj deklaratave të shefit të qeverisë mbi autonominë e vendore, ka reaguar sot edhe deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku, e cila deklaroi se “Sali Berishën flet për autonominë e universiteteve, por të gjithë e dinë se Sali Berisha nuk ka asnjë lidhje me autonominë”.
Deputetja e PS-së, i drejtoi një pyetje kreut të qeverisë, se “Si ka mundësi që edhe rektorët më të devotshëm dhe besnikë të tij, kanë dalë hapur kundër arnimeve, që po i bëhen ligjit për arsimin e lartë, që në fakt universiteteve vetëm autonomi nuk u jep, por përkundrazi, i nënshtron dhe i vendos krejtësisht nën urdhrat e pushtetit?”
Shamku duke iu referuar ligjit vuri në dukje se ky ligj është ndryshuar nga Berisha 5 herë në 3 vjet.
“5 herë në 3 vjet, me qëllimin e vetëm për të krijuar skllevër të rinj si dhe për të ushqyer me paratë e shqiptarëve grykësat e qeverisë së vet”, theksoi deputetja Shamku.
Ajo citoi një pjesë nga letra që rektori dhe kandidati për deputet në zgjedhjet e qershorit Dhori Kule i dërgoi shefit të tij ku shkruhet se “Projektligji bie ndesh me parimin e rëndësishëm mbi të cilin ndërtohet dhe funksionon arsimi i lartë, atë të autonomisë universitare parashikuar nga neni 57/7 të Kushtetutës, të cilën ligji duhet ta garantojë dhe jo ta kufizojë siç po bën në këtë projekt.”
mit/NOA