English

QKR: Bizneset e reja janë rritur me 48%

Tiranë, 16 korrik, NOA, Rajmonda Lajthia - Qendra Kombëtare e Rregjistrimit raporton se numri i biznesve të reja të krijura gjatë 6 mujorit të parë është 10. 514.

Një shifër kjo që rezulton me 48 % rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Duke iu referuar këtyre shifrave, drejtori i kësaj qëndre Tomi Kola u shpreh se, kjo është panorama me të cilën po performon ekonomia shqiptare.

“Në vitin 2009 kemi rregjistruar 7089 biznese të reja, ndërsa në 2010 kjo shifër ka arritur në 10.514. E meqënëse krahasimi bëhet me vitin e kaluar, kohë e cila ka përkuar me periudhë krize, mund të themi se ekonomia jonë gjatë vitit të kaluar nuk ka njohur krizë”- shprehet Kola.

Por megjithë hapjen e bizneseve të reja, mbi 2900 të tilla janë çrregjistruar, për shkak të vështirësive ekonomike.

E megjithatë edhe kjo shifër është më e ulët, gati 18% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Deklaratat e QKR-së, vijnë pas akuzave të forta që opozita ka bërë në adresë të ekonomisë e konkretisht ndaj drejtuesve të institucioneve fiskale.

Në të gjithë vendin numërohen rreth 133 mijë biznese në total.

Në bazë të përqindjes së popullsisë, rezulton se 4% e shqiptarëve zotërojnë një aktivitet privat.

Sipas QKR kjo shifër mund të jetë edhe më e madhe, pasi në një kompani rezultojnë të jenë më shumë se një aksioner.

r.l/NOA
KOMENTE