Tiranë, 16 korrik, NOA Update – Lideri i opozitës në takimin e përjavshëm me gazetarët ka deklaruar sot se rishikimi i buxhetit në këtë moment është i vonuar dhe shkurtimi i tij në këtë moment të krizës së thellë ekonomike është një masë dramatike që do të lërë në mëshirë të fatit tërë shqiptarët.
Sipas Ramës, kriza ekonomike është shtrirë kudo dhe po nxjerr në pah politikën ekonomike shkatërruese të kësaj qeverie, korrupsionin e pashembullt që po thith tërë frymën e ekonomisë duke varfëruar në mënyrë të skajshme shqiptarët.
Kryesocialisti Rama theksoi se ky rishikim i vonuar ku do të shkurtohen 1 e katërta e e tij, apo 25 përqind e buxhetit, do të thotë masë dramatike për ekonominë, që do të prekë jo vetëm zhvillimin ekonomik të vendit dhe punësimin.
“Gjykoj se është një moment, në të cilin duhet bërë transparencë sa më e plotë për krizën ekonomike që po rëndohet”, deklaroi Rama.
Sipas Ramës, shkurtimi i një të katërtës, apo 25 përqind e buxhetit, është një masë dramatike, që nënkupton se kompanitë do të humbasin edhe më shumë vende pune dhe se nuk do të hapen të reja, më saktë asnjë vend pune nuk do të hapet, si pasojë e politikës së qeverisë sa i përket investimeve publike, ku sikundër theksoi Rama, sharrohen investimet në arsim dhe shëndetësi.
“Duke iu referuar të dhënave fiskale, kemi një rritje 0 ekonomike. Sot gjendemi në kushtet e një krize ekonomike, që përparon me shpejtësi, që jo vetëm nuk i përgjigjet me zhdërvjellësi kësaj situate, por përkundrazi është arsyeja kryesore e krizës”, nënvizoi Rama.
Rama shtoi se është e qartë se popullsia është varfëruar jashtëzakonisht, dhe është skandaloze se kur kriza ekonomike përparon dhe kur përfaqësuesi i FMN-së, e ka quajtur me një rrezik të qartë për ekonominë, dhe një përfundim shumë të keq, kemi një kryeministër, që shtatë ditë më parë foli për kredi të gjithanshme, ndërkohë që nuk qe në gjendje të merrte as 0 miliard, për shkak të një ekonomie, që gjendet në krizë dhe me tregues të pabesueshëm për mbështetje të mëtejshme financiare.
Lideri socialist i quajti të gjitha deklaratat e Berishës, gënjeshtra, pasi sipas tij kemi një situatë të tillë të rëndë ekonomike, dhe një përshkallëzim të aferave korruptive të qeverisë që i janë sulur pronave publike, duke i tjetërsuar ato, si pasuri të oborrit të familjes.
Sipas Ramës, të gjitha këto pasuri po jepen me çmime kriminale, që jo vetëm nuk ndihmojnë ekonominë e vendit, por përkundrazi rritin potencialin e një shkatërrimi të plotë ekonomik, që do të godasë në mënyrë kriminale buxhetin jetik të çdo familjeje.
Duke iu referuar aseteve të ministrisë së Mbrojtjes, Rama tha se “këto tjetërsime ne i konsiderojmë kriminale, dhe do i kontrollojmë dhe anullojmë qysh në fillim të ardhjes sonë në qeveri. Ne nuk do të lejojmë që të tilla masakra të kthehen në funksion të pasurimit të një grushti njerëzish, ku një pakicë gëzon të ardhura marramendëse dhe një një shumicë jeton në mëshirë të saj”, deklaroi Rama.
Lideri socialist shtoi se opozita është e alarmuar për këtë situatë ekonomike dhe se ajo është më e vështirë nga sa e kemi parashikuar ne më parë.
“Shqipëria është në një krizë të tillë të thellë ekonomike, dhe në jemi të alarmuar se do t’u duhet shqiptarëve të paguajnë shumë më tepër më pas”, nënvizoi Rama.
Lideri i opozitës kërkoi nga qeveria të bëjnë transparencën e krizës ekonomike, pasi ajo është shumë më e madhe nga ç’duket e deklarohet.
Rama më tej theksoi se “PS nuk është kundër politikave të privatizimit, të partneritetit të sektorit privat dhe instrumentave që i japin frymëmarrje të ekonomisë, por qeveria po bën të kundërtën, pasi po i turret në mënyrë qorre pasurisë së përbashkët, duke bërë privatizime dhe tjetërsime që nuk garantojnë të ardhmen e ekonomisë së vendit, por nga këto asete humbet vetëm publiku. Ndaj ne sot, si opozitë dhe si qeveri në të ardhmen do t’i shkojmë deri në fund, do t’i zbardhim dhe do t’i anullojmë këto privatizime, që i kanë sjellë publikut shqiptar vetëm varfërim”.
Por, në këtë dalje publike të përjavshme lideri i socialistëve Edi Rama kishte në krah edhe ish guvernatorin e Bakës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, i cili e cilësoi shumë të rëndë situatën ekonomike për një fakt të thjeshtë, se “Ne njohim vetëm borxhin publik”, tha Cani.
“Kur BB flet për rast suksesi, ajo flet për këto 20 vjet dhe jo për këtë qeverisje sot. Sot shqiptarët mësojnë që jo vetëm s’duhet të marrin më borxhe, por se duhet t’i paguajnë ato shumëfish”, deklaroi Shkëlqim Cani.
Sipas tij, e rrezikshme është pikërisht e panjohura për krizën ekonomike, grada e thellimit të saj, pasi mund të mësojmë se “borxhi mund të jetë 100 përqind”.
Qeveria nuk e ka dëgjuar kurrë opozitën, nënvizoi kryetari i këshillit të Ekonomisë në Ps, Shkëlqim Cani.
mit/NOA