Tiranë, 16 korrik, NOA – “Një krizë që është shtrirë kudo dhe po nxjerr në pah politikën ekonomike shkatërruese për tërë vendin, një korrupsion i pashembullt që po thith tërë frymën e ekonomisë duke lënë në mëshirë të fatit tërë shqiptarët”.
Kriza ekonomike dhe shkurtimi më i fundit i buxhetit, që po ndërmerr qeveria ishin sot në qendër të takimit të përjavshëm me gazetarët të liderit të opozitës Edi Rama.
“Gjykoj se është një moment, në të cilin duhet bërë transparencë sa më e plotë për krizën ekonomike që po rëndohet”, deklaroi Rama.
Kreu i PS-së, theksoi se “Jemi në prag të një rishikimi shumë të vonuar të buxhetit, i cili konsiston në shkurtimin e shpenzimeve kapitale, duke sjellë një situatë dramatike për punësimin dhe për zhvillimin ekonomik të vendit për pjesën më të madhe të popullsisë”.
Sipas Ramës, shkurtimi i një të katërtës, apo 25 përqind e buxhetit, është një masë dramatike, që nënkupton se kompanitë do të humbasin ende më shumë të ardhurat dhe se asnjë vend pune nuk do të mund të hapet.
“Duke iu referuar të dhënave fiskale, kemi një rritje 0 ekonomike. Sot gjendemi në kushtet e një krize ekonomike, që përparon me shpejtësi, që jo vetëm nuk i përgjigjet me zhdërvjellësi kësaj situate, por përkundrazi është arsyeja kryesore e krizës”, nënvizoi Rama.
Rama shtoi se është e qartë se popullsia është varfëruar jashtëzakonisht, dhe është skandaloze se kur kriza ekonomike përparon dhe kur përfaqësuesi i FMN-së, e ka quajtur me një rrezik të qartë për ekonominë, dhe një përfundim shumë të keq, kemi një kryeministër, që shtatë ditë më parë foli për kredi të gjithanshme, ndërkohë që nuk qe në gjendje të merrte as 0 miliard, për shkak të një ekonomie, që gjendet në krizë dhe me tregues të pabesueshëm për mbështetje të mëtejshme financiare.
Lideri socialist i quajti të gjitha deklaratat e Berishës, gënjeshtra, pasi sipas tij kemi një situatë të tillë të rëndë ekonomike, dhe një përshkallëzim të aktivitetit ekonomik të qeverisë, që është sulur në një tjetërsim të pasurisë publike, duke e përfituar këtë si një pasuri të oborrit të familjes.
Sipas Ramës, të gjitha këto pasuri po jepen me çmime qesharake, që jo vetëm nuk ndihmojnë ekonominë e vendit, por përkundrazi rritin potencialin e një shkatërrimi të plotë ekonomik.
“Dua ta bëj të qartë, që këto tjetërsime ne i konsiderojmë kriminale, dhe do i kontrollojmë qysh në fillim të ardhjes sonë në qeveri. Ne nuk do të lejojmë që të tilla masakra të kthehen në funksion të pasurimit të një grushti njerëzish, ku një pakicë gëzon të ardhura marramendëse dhe një shumicë në mëshirë të saj”, deklaroi Rama. Vijon....