Ulqini, Mikpritës I Edicionit Të 10-Të Të Panairit Të Librit
- Panairi i 10-të i librit organizohet nga 28 korriku-4 gusht në Ulqin-
TIRANË, 16 Korrik/ ATSH/- Mbi 60 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnje- Hercegovina do të marrin pjesë në Panairin tradicional të Librit "Ulqini 2010", që do të zhvillohet në Ulqin (Mali i Zi) nga 28 korrik- 4 gusht, të organizuar nga Bashkia e këtij qyteti dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë.
Në Panairin e librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 6000 tituj librash, nga të cilat mbi 500 janë tituj të rinj.
Letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj, do të jenë librat e rinj, që do të paraqiten para lexuesve ulqinakë e pushuesve të huaj.
Sikurse çdo vit, Panairi i librit në Ulqin edhe në këtë edicion të 10-të, do të ketë të ftuar të veçantë, personalitete nga fusha e kulturës, akademikë, administrata shtetërore dhe politika.
Këtë vit, të ftuar të veçantë dhe në qendër të vemëndjes së publikut bashkë me veprën e tyre, do të jetë shkrimtari Besnik Mustafaj nga Shqipëria dhe një shkrimtar i njohur nga Mali i Zi.
Mbrëmja e ditës së dytë të dhe të tretë të panairit do t'u kushtohet ekskluzivisht autorëve që me kontributin e tyre kanë botuar veprimtari akademike, për të cilët do të flasin gjerësisht studiuesit Piro Misha, akademiku Josif Papagjoni dhe botuesja Irena Toçi etj.
Panairi i sivjetëm është i pari që çel veprimtaritë me librin në stinën verore për t'i hapur rrugë më pas gjatë muajit gusht disa panaireve të tillë në qytetet e jugut në Vlorë e Sarandë./s.d//a.ke/