Vlore: Rriten Temperaturat, Kushte Te Favorshme Lundrimi
VLORË, 16 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Situata meteorologjike sot në gjirin detar të Vlorës, do të karakterizohet nga rritja e mëtejshme e temperaturave, vlera maksimale e të cilave parashikohet të arrijë në 36 gradë Celsius.
Moti do të jetë i kthjellët dhe me zhvillime të pakta resh, gjë që do të ndikojë edhe në rritjen e nivelit të avullimit që parashikohet të shkojë deri në kufijtë e 6 përqindshit.
Kushtet e lundrimit do të jenë të favorshme për të gjitha mjetet, ç'ka ka bërë që mbi 20 peshkarexha të dalin çdo ditë për gjueti në hapësirën detare brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës.
Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se, sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Perëndim-Veriperëndim, me shpejtësi nga 2-4 m/sek, deri në 6-8 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 34-36 gradë celsius dhe ato minimale në 20-22 gradë celsius.
Valëzimi parashikohet të jetë 0-1 ballë brenda gjirit detar dhe 3-4 ballë në det të hapur.
Dy tragetet e linjës detare Vlorë-Brindisi do të lundrojnë sot drejt portit italian në orët e mesditës. /a.ke/