Arsim-Intervistë/ Zheni Marku: Medalja, Vlerësim Për Ata Që Më Kanë Ndihmuar
R
TIRANË, 17 Korrik /ATSH- Gjergji Mima/ - Zheni Marku ka 12 vjet që merr vetëm 10-ta, por nuk duket e ngopur, ndërsa krenohet me punën që ka bërë, sepse siç thotë dhe vetë, "për atë jam lodhur shumë".
Zheni Marku është maturantja që këtë vit ka marrë medalje të veçantë si nxënëse me të gjitha 10-ta nga klasa e parë deri në vitin e katërt, me motivacionin "Për rezultate të shkëlqyera". Ajo thotë se medaljen e ka përjetuar si një vlerësim, por njëkohësisht ka ndjerë mirënjohje për prindërit që kanë investuar shumë për të, por edhe mësuesit që vazhdimisht janë përpjekur përt'i dhënë njohuritë e tyre. Zheni marku është një ndër 13 gjimnazistët më të shkëlqyer të Tiranës, që sapo kanë fituar të drejtën të studjojnë në Universitetet më me emër të botës.
Nxënëse e shkëlqyer që nga klasa e parë e deri në vitin e katërt të shkollës së mesme. Çfarë është studimi për ty? Një muaj më parë more Medaljen për rezultatet shumë të mira, që nga klasa e parë e deri në vitin e katërt të shkollës së mesme. Si u ndjeve?
Natyrisht, marrja e një çmimi të tillë është një vlerësim i madh për mua. U ndjeva e vlerësuar, por edhe mirënjohëse kundrejt shumë personave: atyre që ma dhanë dhe atyre që më kishin ndihmuar në marrjen e kësaj medaljeje, sigurisht prindërit e mi që kanë investuar shumë te unë, por edhe mësuesit që vazhdimisht janë përpjekur për të më dhënë mua njohuritë e tyre. Besoj se ja kam arritur ta shpërblej punën e tyre", u shpreh Zheni.
Të pëlqen të krenohesh me rezultatet e tua të mira në mësime?
Po, pse jo? Më pëlqen të krenohem me punën time, sepse për atë jam lodhur shumë. Dhe nëse një njeri nuk më vlerëson nga gjërat e tjera të dukshme, unë i prezantoj edhe këtë anë timen dhe ai ndryshon menjëherë opinion.
Keni fituar të drejtë studimi në Universitetin Bordeaux IV - Montesquieu, në Francë? Si ju duket?
Është diçka që e di që do të më ndihmojë për të ardhmen. Do të jetë patjetër një mundësi e mirë për një punësim më të sigurt dhe pse jo, një karrierë të suksesshme. Sepse është normale që një person që ka një horizont më të gjerë dhe dije më të plota se tëtjerët, do të ketë edhe mundësitë më të mëdha për të ecur përpara. Kjo është ajo që më shtyn për të mësuar më shumë.
Studimi yt kufizohet vetëm në programin mësimor të shkollës, apo ndjek edhe kurse jashtë shkollore?
Duke qenë se, kam synim të shkoj në Francë për të vazhduar studimet e larta, kam ndjekur njëkurs për gjuhën franceze. Pas dhjetë muajsh studimi, pedagogia ime besonte se isha gati, dhe unë e kam mbrojtur provimin e kësaj gjuhe të huaj.
Sa vend zë sporti në jetën tënde?
Aktualisht jam në një kurs tenisi. Kam ushtruar shumë lloje sportesh. Fillova me basketbollin, vazhdova volejbollin kam praktikuar pak edhe not.
Mëson shumë vetëm duke menduar të ardhmen tënde, apo edhe sepse të pëlqen të studiosh?
Pëlqimi lidhet vetëm me lëndë të caktuara, të cilat unë i kam vërtetë për zemër, por të thuash që më pëlqen të studioj kiminë për shembull, për mua nuk vlen fare (qesh), sepse nuk është një lëndë që më tërheq. Në këtë rast, e bëj vetëm për t'u shërbyer notave në dëftesë, por edhe tëardhmes sime,që është e lidhur me këto nota. Ndërkohë që sociologjinë apo psikologjinë i mësoj me shumë dëshirë.
Çfarë hapësire zë në kohën tënde kompjuteri dhe interneti?
Zë një kohë të mirë. Jo aq sa për të më penguar me mësimet, por gjithsesi të konsiderueshme. Megjithëse hyj shpesh për të kërkuar informacione shkollore, pastaj nis e shikoj postën elektronike, u përgjigjem mesazheve të miqve.
A mendon se Franca do të jetë stacioni yt i fundit?
Ka shumë studentë që dashurohen me vendet ku ata kryejnë studimet dhe më pasmbeten aty. Unë jam tashmë e dashuruar me Francën, edhe pse nuk kam shkuar ende. Por kjo nuk besoj se do të më pengojë të kthehem sërish këtu, për të vënë në zbatim njohuritë dhe aftësitë e mia, gjithnjë nëse këtu do të gjej hapësirën që meritoj, për ato vlera që do të kem.
Emri: Zheni
Mbiemri: Marku
Datëlindja: 9 korrik 1992
Shkolla: "Ismail Qemali"./n.m/