Australi - Zgjedhjet E Parakohshme Legjislative Më 21 Gusht
SIDNEI, 17 korrik /ATSH-AFP/ - Kryeministrja laburiste e Australisë, Julia Gillard, njoftoi sot se zgjedhjet e parakohshme legjislative do të zhvillohen më 21 gusht.
Gillard e kishte premtuar organizimin e këtyre zgjedhjeve për të siguruar "besimin"e zgjedhësve australianë, kur erdhi në pushtet pas Kevin Rudd, i cili doli në minorancë në partinë e tij më pak se tre vjet pas ardhjes në krye të qeverisë.
Gillard i kërkoi përfaqësuesit të kurorës britanike, Quentin Bryce, i cili kryen detyrën e kryetarit të shtetit në Australi, anëtare e Komonuelthit, të shkrijë parlamentin dhe të thërrasë zgjedhje të reja ditën e shtunë më 21 gusht.
Julia Gillard, 48 vjeçe, ish-avokate dhe ish-zëvendëskryeministre në kabinetin e Rudd, nuk ka pranuar të mbajë rezidencën zyrtare të kryeministrave, për sa kohë nuk është konfirmuar në detyrë nga një votim universal.
Menjëherë pas marrjes së detyrës ajo trajtoi çështjet e shumëpërfolura që i kushtuan postin ish-kryeministrit Rudd: një taksë 40 për qind për përfitimeve kolosale të kompanive minerare, imigracionin klandestin dhe luftën kundër ngrohjes së klimës.
Me kompanitë minerare ajo arriti shpejt një kompromis, por për sa i përket imigracinit, qëndrimi i saj për krijimin e një kampi për refugjatët në rajon nuk ka qenë i prerë.
Australianët do të rinovojnë gjatë këtyre zgjedhjeve anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve (Dhoma e Ulët e parlamentit) dhe gjysmën e Senatit (Dhoma e Lartë).
Julia Gillard për laburistët dhe Tony Abbott, lider i opozitës konservatore, do të jenë dy pretendentët për postin e kryeministrit.
/I.Pu.