Ekonomi - Fmn: Greqia Ka Bërë Përparime Të Konsiderueshme
UASHINGTON, 17 korrik /ATSH-AFP/ - Autoritetet greke kanë bërë "përparime të konsiderueshme në rimëkëmbjen e financave të tyre publike, theksoi një grup ekspertësh të FMN-së të cilët kanë shkuar së fundmi në vend, duke theksuar megjithatë "rreziqe të qarta lidhur me sistemin shëndetësor dhe të sigurisë sociale.
"Vënia në zbatim e buxhetit të shtetit është në rrugë të mbarë me një kontroll të mirë të shpenzimeve", theksoi ky grup në një raport të publikuar në faqen e internetit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN. "Megjithatë, spitalet dhe fondet e sgurisë sociale paraqesin rreziqe të qarta, si dhe presionet financiare për ndërmarrjet publike".
Ekspertët theksuan gjithashtu se "aktiviteti ekonomik po tkurret siç shpresohej, por se inflacioni është më i lartë nga ç'pritej". Ata bëjnë gjithashtu të ditur se "konsumi privat për çudi ka rezistuar mirë, duke pasqyruar ndoshta marrjen parasysh të një aktiviteti që më parë ishte "i paligjshëm".
Që prej përfundimit të misionit të vlerësimit, përpara një muaji, ekspertët e FMN-së kanë konstatuar se plani i autoriteteve zbatohet siç është rënë dakord.
Përfaqësues të BE-së dhe FMN-së priten përsëri në Greqi në periudhën 26 korrik-6 gusht për të hartuar raportin e parë zyrtar lidhur me zbatimin e planit të masave të rrepta ekonomike të miratuar në maj si kusht për zhbllokimin e huave prej 110 miliardë euro brenda tri vjetëve nga BE-ja dhe FMN-ja. Ky raport pritet të kushtëzojë akordimin e këstit të dytë të ndihmës financiare për vendin.
Ndërkohë, Greqia filloi javën e kaluar një emetim bonosh thesari për gjashtë muaj me vlerë 1,25 miliardë euro dhe pritet të fillojë një tjetër të martën.
Për sa i takon sistemit shëndetësor, ekspertët e FMN-së, në raportin e publikuar në Uashington, bëjnë të ditur se "borxhet janë rritur deri në shumën e vlerësuar prej 840 milionë euro dhe se është parashikuar zvogëlimi i tyre brenda rreth gjashtë muajve të ardhshëm. Është themelore që ato të mos bëhen të prapambetura, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Ata vënë në dukje gjithashtu përpjekjet e bëra në këtë fushë, me zvogëlimin e kostos së medikamenteve, mbikëqyrjen më të madhe të buxhetit të spitaleve dhe me përparime në programin e privatizimit.
/I.Pu.