English

Elbasan: Agjentët Tatimorë, Gjoba Për Subjektet Që Nuk Kanë Vendosur Kasat Fiskale

ELBASAN, 17 Korrik/ATSH-Miranda Sadiku/.-Drejtoria Rajonale e Tatim Taksave në qytetin e Elbasanit ka ndërrmarë një aksion me qëllim ndëshkimin me gjoba të atyre subjekteve të biznesit të vogël, të cilët nuk janë pajisur me kasa fiskale. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Tatim Taksave, Xhemali Vyshka tha sot për ATSH se "30 qershori ishte afati i fundit i vendosjes së kasave fiskale, dhe për këtë arsye gjatë ditëve të fundit, agjentët tatimorë kanë ushtruar kontrolle në shumë subjekte të biznesit të vogël. Vetëm në tre ditët e fundit janë vendosur rreth 30 gjoba, për të gjithë ata subjekte të biznesit të vogël, të cilët nuk janë pajisur me kasat fiskale". Po sipas Vyshkës "Drejtoria Rajonale Elbasan është e detyruar të zbatojë vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku në këtë kuadër janë vendosur edhe gjoba për ata subjekte që ushtrojnë aktivitet dhe që nuk e kanë vendosur kasën fiskale". Gjoba që aplikohet në këtë rast varion nga 10-100 mijë lekë të reja. Në rrethin e Elbasanit ushtrojnë aktivitet rreth 4200 subjekte të biznesit të vogël, ku rreth 600 prej tyre janë regjistruar vetëm 6-mujorin e parë të këtij viti. Mësohet se agjentët tatimorë do të vazhdojnë kontrollet edhe në fillim të javës tjetër. /a.s/
KOMENTE