English

Elbasan:Rritja E Temperaturave, 60 Fëmijë Të Shtruar Në Spitalin Pediatrik

ELBASAN, 17 Korrik/ATSH-Miranda Sadiku/.-Temperaturat e larta, të cilat i kanë kaluar të 40 gradët edhe në qytetin e Elbasanit, kanë shkaktuar fluks vizitash në spitalin pediatrik të qytetit të Elbasanit.Vetëm në dy ditët e fundit në këtë spital janë kryer më shumë se 100 vizita, ndërsa janë shtruar në spital rreth 60 fëmijë të moshës nga 0-9 vjeç. Shefi i pavionit të pediatrisë, Edmond Laho tha për ATSH se "rritja e temperaturave është shoqëruar me shfaqjen e sëmundjeve virale kryesisht tek fëmijët, të cilat shoqërohen me këputje trupi, të vjella dhe diare". Sipas tij, "virozat shpërthejnë si pasojë e uljes së rezistencës së organizmit për shkak të ndryshimeve të motit, në këtë rast rritjes së temperaturave". Në këto kushte mjeku pediatër Laho rekomandon në veçanti nënat që të përdorin për fëmijët e tyre, sa më shumë lëngje, fruta të stinës, si edhe qëndrimin e fëmijëve në kushte të freskëta dhe evitimin e daljes jashtë deri në orët e vona të mbrëmjes. /a.s/
KOMENTE