English

Gjoni: Policia po përdoret për interesa të partisë në pushtet

Tiranë, 17 korrik, NOA – Partia Socialiste ka lëshuar akuza të ashpra ndaj ministri të Brendshëm, Lulzim Basha. Duke u ndalur në analizën e policisë, deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, u shpreh se “policia po përdoret për interesa të partisë në pushtet”.

Me tone të ashpra, Gjoni ka hedhur poshtë çdo arrije të pretenduar gjatë analizës së policisë që u zhvillua dje. Ai ka përmendur rritjen e krimit të vrasjes, vjedhjes, korrupsionit dhe trafiqeve të drogës. Sipas Gjonit qeveria ka dështuar në arritjen e standardeve dhe garantimin e një jetë më të mirë dhe me të sigurt për qytetarët.

Gjoni u shpreh se niveli i krimit është më i madh se më parë, ndërsa ka akuzuar se në radhët e policisë ka emërime krahinore.

Beqja ka analizuar shifrat e publikuara nga policia duke deklaruar se në goditjen ndaj krimit nuk janë përfshirë njerëzit që janë afër kryeministrit Sali Berisha.

“Në radhët e 361 autorëve të krimit financiar, korrupsionit dhe krimit ekonomik, figurojnë në përgjithësi “peshq” të vegjël, viktima e nëpunës të rangjeve të ulëta e të mesme, ndërsa peshkaqenët e vërtetë, vazhdojnë të drejtojnë Ministri, drejtori e dikastere të rëndësishme, në 145 veprat penale të pastrimit të parave me 166 autorë, për të cilët nuk thuhet se sa janë goditur, pa dyshim që nuk përfshihen, miqtë e oborrit Berisha, rritja e pasurisë të së cilëve i kalon miliona dollarë çdo vit.”, tha ai.

Ne fund të deklaratës së tij, Gjoni i sugjeroi ministrit Basha që të hetojë pasurinë e ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti.

“Për t’i ardhur në ndihmë Ministrit të Brendshëm dhe strukturës që ai drejton, përkatësisht asaj të Gjurmimit të Aseteve të Krimit, i rekomandojmë ta vërë në punë dhe të gjurmojë mënyrën se si Ministri i Energjitikës Dritan Prifti ka siguruar 1.8 milion euro nga shitja e aksioneve të blera me një borxh të marrë nga banka prej 30 mijë eurosh. Ky do ishte një rast i mirë për të provuar seriozitetin e punës së tij”, u shpreh Gjoni.

Reagimi i Partisë Socialiste erdhi një ditë pas analizës gjashtë mujore të policisë.

NOA

KOMENTE