Izraeli Shpreh Interes Për Forcimin E Bashkëpunimit Ekonomik Me Shqipërinë
TIRANE,17 Korrik/ATSH-A.Gegvataj/.- Izraeli shpreh interesim për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi
Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur, se kjo u nënvizua gjatë takimit që zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta zhvilloi sot me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Avidgor Lieberman, gjatë punimeve të mbledhjes informale të Këshillit Ministerial të OSBE-së, në Kazakistan.
Ai vlerësoi qëndrimin e ekuilibruar dhe konstruktiv të politikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa përshëndeti anëtarësimin në NATO dhe ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit tonë, ministri i Izraelit u shpreh i interesuar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve në Shqipëri.
Shefi i diplomacisë shqiptare mirëpriti interesin e Izraelit për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe vuri theksin tek zbatimi sa më efektiv i kuadrit ekzistues të marrëveshjeve që janë në fuqi mes dy vendeve.
Duke u ndalur tek zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ministri Meta nënvizoi se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje që garanton stabilitet dhe siguri afatgjatë në rajon. Ai kërkoi mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila u konfirmua nga homologu i tij izraelit.
Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta shprehu qëndrimin e qeverisë shqiptare për zgjidhjen paqësore të konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa dënoi aktet e dhunës nga cilado palë që ato vijnë.
Në përfundim të takimit, dy homologët ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare./a.s/