Kinë - Kryeministri: Nuk Ka Diskriminim Ndaj Ndërmarrjeve Të Huaja
PEKIN, 17 korrik /ATSH-AFP/ - Kryeministri kinez Wen Jiabao hodhi poshtë sot çdo lloj diskriminimi ndaj ndërmarrjeve të huaja në Kinë dhe një keqësim të situatës për investimet e tyre në ekonominë më të madhe në botë.
Wen u shpreh në Xian, në veriperëndim, me rastin e një seminari kino-gjerman në prani të kancelares Angela Merkel dhe të drejtuesve të ndërmarrjeve të të dy vendeve.
"Aktualisht qarkullojnë zëra sipas të cilave po keqësohet situata për investime. Kjo nuk është e vërtetë", deklaroi ai, i cituar nga agjencia zyrtare Hsinhua, duke iu përgjigjur një pyetjeje të presidentit të kompanisë numër një kimike në botë, ajo gjermane BASF, Jurgen Hambrecht.
"Invetimet e huaja nuk do të ishin kaq të mëdha në një vend ku keqësohet situata për to", vazhdoi ai duke iu referuar shifrave të fundit zyrtare.
Sipas këtyre të fundit, investimet e huaja të drejtpërdrejta në Kinë janë rritur gjatë një viti me 19,6 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010.
"Ata që hyjnë në Kinë përfitojnë të njëjtin trajtim si shoqëritë kineze, qofshin ndërmarrje me pronarë të huaj, apo të shoqëri me aksione të përbashkëta", vazhdoi kryeministri.
Tridhjet vjet hapjes së Kinës për investimet e huaja, kompanitë ndërkombëtare ankohen për ligje të vështira, rregulla që favorizojnë homologët vendës dhe për një nacionalizëm në rritje, aq sa disa kanë vënë në pikëpyetje të ardhmen e tyre në ekonominë e tretë më të madhe të botës.
Muajt e fundit, Dhoma e Tregtisë evropiane në Kinë dhe homologia e saj amerikane kanë shprehur shqetësime lidhur me një ashpërsim të legjislacionit ndaj tyre. Në mars, pas disa muaj beteje mes Google dhe autoriteteve kineze lidhur me censurën, kryeministri kinez Wen Jiabao u shpreh se Kina do të mbetet e hapur për investitorët e huaj.
/I.Pu.