English

Koreja E Jugut Ka Prodhuar Një Raketë Që Mund Të Godasë Objekte Bërthamore Të Veriut

SEUL, 17 korrik /ATSH-AFP/ - Koreja e Jugut ka prodhuar një raketë kryqëzori me rreze të gjatë veprimi që mund të godasë objekte bërthamore ose ushtarake në Korenë e Veriut, njoftoi sot agjencia koreanojugore e shtypit Yonhap. Agjencia për zhvillimin e mbrojtjes filloi prodhimin e raketës tokë-tokë Hyunmu-3C që ka një rreze prej 1 500 kilometrash, shtoi ajo, duke cituar një zyrtar të mbrojtjes i cili preferoi të mbetej anonim. Raketa Hyunmu-3C mendohet të jetë gjithashtu e aftë të arrijë në disa rajone të Kinës, Japonisë dhe Rusisë. Versioni i mëparshëm i Hyunmu kishte një rreze prej 1 000 kilometrash. Në bazë të një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara, që i siguron mbrojtje bërthamore Seulit në rast lufte, Koreja e Jugut i ka kufizuar raketat e saj në një rreze maksimale prej 300 kilometrash. Por, Seuli ka të drejtë ta zgjerojë rrezen e raketave të kryqëzorit nëse kapaciteti i tyre mbajtës nuk i kalon 500 kilogramët. Vendi kërkon të pajiset me raketa me rrezen më të gjatë të veprimit për t'u mbrojtur nga kërcënimi i qindra raketave të Veriut. Pheniani ka rreth 600 raketa Scud të afta të godasin objektiva në Jug dhe në rast nevoje edhe objektiva në Japoni, 200 raketa Rodong-1 mund të godasin Tokion. Përveç këtyre, Pheniani ka raketaTaepodong ndërkontinentale të testuara tri herë. Pheniani është larguar nga bisedimet gjashtëpalëshe ku marrin pjesë Shtetet e Bashkuara, dy Koretë, Kina, Rusia, Japonia në prill të vitit 2009, pas një goditjeje me raketë që u dënua dhe u ndëshkua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Ky dialog, i filluar në vitin 2003, synon ta bindë vendin të heqë dorë nga programet bërthamore. Tensioni është rritur në pranverë, pas mbytjes së një anijeje lufte koreanojugore për të cilën u fajësua Koreja e Veriut. Incidenti, që ndodhi pranë vijës së demarkacionit detar mes dy Koreve, shkaktoi vdekjen e 46 marinarëve koreanojugorë. /I.Pu.
KOMENTE