English

Kosovë-Parteshi Voton Nesër Në Balotazhin Për Kryetar Komune

PRISHTINË, 17 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Nesër përmbyll zgjedhjet komuna e re Partesh, e katërta nga pesë komunat e reja me shumicë serbe të Paketës Ahtisaari, në procesin e decentralizimit në Kosovë. Në Partesh, ku më 20 qershor është mbajtur raundi i parë i zgjedhjeve lokale, votohet të dielën në balotazhin për kryetar komune. Në një debat të premten në Çagllavicë, lokalitet i banuar me serbë afër Prishtinës, zv/kryeministri kosovar, Hajredin Kuçi, pjesëmarrjen në raundin e parë të zgjedhjeve në Partesh e ka konsideruar si shembull për gjithë Kosovën. "Parteshi është shembull pasi 65 % e popullatës lokale serbe kanë marrë pjesë në zgjedhje", u shpreh ai duke shtuar se kjo shifër është "më shumë se mesatarja e shqiptarëve në Kosovë apo tre herë më shumë se mesatarja e serbëve që kanë marrë pjesë në zgjedhjet ilegale, të organizuara nga Serbia". Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës është në përgatitjet e fundit për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Partesh. "Materiali sensitiv është shpërndarë kurse me kohë do të shpërndahet dhe materiali josensitiv për votimet e së dielës", thuhej në një komunikatë nga mbledhja e KQZ-së, ku u miratuan dhe akreditimet e vëzhguesve. Votimet e nesërme në Partesh, për mbi 3.500 qytetarë me të drejtë vote, do të organizohen në 5 vendvotime dhe 3 qendra numërimi. Në tri komuna të reja: Graçanicë, Kllokot dhe Ranillug, ku zgjedhjet janë mbajtur më 15 nëntor të vitit të kaluar, me kohë është bërë konstituimi i kuvendeve dhe qeverive lokale, ndërsa komuna e katërt, Parteshi, do të pasohet me të pestën, Mitrovicën e Veriut, ku është emëruar ekipi përgatitor komunal dhe zgjedhjet pritet të zhvillohen në kuadër të Strategjisë Gjithpërfshirëse për Integrimin e Veriut. /a.s/
KOMENTE