English

Kur Tirana 'I Ikën' Vapës

TIRANË, 17 Korrik/ ATSH- Suada Daci/- Valët e të nxehtit që kanë "pushtuar" këto ditë vendin tonë, kanë detyruar qytetarët e Tiranës t'i drejtohen plazheve apo pishinave për t'u relaksuar dhe freskuar. Që në orët e para të mëngjesit në akset kryesore të vendit vihet re një numër i madh automjetesh që i drejtohen qytetit bregdetar të Durrësit, për të kaluar një ditë të këndëshme, pas një jave të lodhshme pune. Në këto ditë të nxehta vere e "varfër" është dhe jeta kulturore. Mbyllja e sezoneve artistike dhe transferimi pak a shumë i aktiviteteve kulturore në qytetet bregdetare, është një tjetër disavantazh për kryeqytetasit. Ata mund të vizitojnë vetëm ekspozitën në Galerinë e Arteve, Muzeun Historik Kombëtar, por mund të shijojnë edhe ndonjë film në kinematë, Millenium, Imperial e Kristal, të cilat janë të vetmet që ofrojnë diçka ndryshe për ta. Në fundjavë edhe kafenetë, që njihen si vendi më argëtues për të rinjtë në Tiranë, janë të zbrazura. Tek-tuk mund të shohësh ndonjë qytetar, apo grupe të rinjsh në këto ambjente, por gjithsesi ato nuk kanë 'shkëlqimin' dhe zhurmën e një dite të zakonshme të tyren. Paraditja e një fundjave është e qetë edhe për të moshuarit e fëmijët. Të rrezikuar më tepër nga vala e të nxehtit afrikan ata preferojnë të rrinë në shtëpi ose të pushojnë pranë një stoli nën hijet e parkut të Liqenit Artificial, apo në parkun "Rinia". Mbrëmja, aty fillon ëndrra e një nate vere. Ndryshe shfaqet panorama në mbrëmje. ku grupe të rinjsh mbushin rrugët (veçanërisht zonën e ish-Bllokut) e kafenetë e qytetit. Këta të fundit e konsiderojnë ambientin "zbavitës" të bareve dhe pub-eve "si një vend shumë të zhurmshëm, të rehatshëm dhe ku mund të shpenzosh jashtëzakonisht shumë". Pub-et dhe karaoket janë bërë lajmotivi i jetës së natës në Tiranë. Muzika e stileve të ndryshme rock, pop, rap, alternativ, havy, pop elektronik, hip hop, janë ato që shoqërojnë të rinjtë në këto ditë të nxehta vere. /a.s/
KOMENTE