English

Lezhë, vdes një person nga një shkëmbim zjarri me policinë në Balldre

Lezhë, 17 korrik, NOA – Një person ka gjetur vdekjen nga një shkëmbim zjarri në fshatin Balldre të Lezhës pasditen e sotme.

Bëhet fjalë për një 16 vjeçar.

Sikundër njoftojnë burime nga policia ky person ishte njëri nga personat e kërkuar nga policia për grabitjen e shtetasve malazezë disa ditë më parë.

Sipas të dhënave mësohet se makina tip benz me targa Tr 78 70 R, po ndiqej nga policia dhe nuk ndaloi në postbllokun e parë.

Makina ku ndodheshin brenda katër vetë, nuk ka ndaluar as në postbllokun e dytë, në të cilin personat brenda automjetit kanë shtënë me breshëri armësh.

Pas tyre erdhi edhe kundërpërgjigjia e policisë.

Gjatë të shtënave gjeti vdekjen edhe i riu.

Mësohet se më parë pasi policia kishte tentuar ta ndalonte makinën, të rinjtë kishin përplasur njërin prej efektivëve të policisë, i cili është dërguar me urgjencë në spital.

Këndej nisi edhe ndjekja e të rinjve nga policia deri në Balldre, ku ndodhën e shkëmbimi i zjarrit mes tyre.

Policia ka gjetur në makinë vetëm të vrarin, 16 vjeçarin me iniciale A.S.

Tre personat e tjerë janë larguar menjëherë nga vendngjarja dhe janë në kërkim nga policia.

Aksioni i policisë nisi pas identifikimit të dy grabitësve të disa malazezëve në një lokal në hyrje të Lezhës, ku persona të maskuar u grabitën atyre në autostradën Lezhë-Shkodër, rreth 20 mijë dollarë, dokumentet amerikane dhe makinën me të cilën udhëtonin.

mit/NOA

KOMENTE