English

Lsi: Strategji Të Re Për Rimëkëmbjen E Gjirokastrës

TIRANE, 17 Korrik/ATSH-A.Gegvataj/.- "Kryebashkiaku i Gjirokastrës e ka drejtuar këtë institucion në mënyrë kaotike, në bazë të interesave klienteliste dhe familjare", deklaroi sot në një konferencë për shtyp në Gjirokastër, sekretari i LSI-së për këtë qark, Besian Pesha. Zyra e shtypit e LSI-së bëri të ditur se Pesha akuzoi Kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti Flamur Bime si të paaftë. "LSI ka hartuar një strategji të re për rimëkëmbjen e Gjirokastrës e cila në themel të saj do të ketë komunikimin me çdo qytetar gjirokastrit", tha Pesha. Ai theksoi se "LSI nuk mund të lejojë më që nën drejtimin e bashkisë nga Flamur Bime çdo familje gjirokastrite ka patur një dëm prej 3 mijë eurosh vetëm së Bashkia nuk është e aftë të thithë fonde investimesh". Gjatë konferencës për shtyp Besian Pesha është ndalur edhe tek Bashkia e Tiranës duke u shprehur se "kryetari i saj Edi Rama çdo ditë thith pluhur me paratë e taksapaguesve, ndërsa Bime thith paratë e taskapaguesve me anë të betonimit që është duke i bërë çdo ditë qytetit të Gjirokastrës". "Kjo rrezikon që ky qytet nga më të veçantët në llojin e tij në Europë, shumë shpejt të dalë edhe nga lista e trashëgimisë botërore Unesco", përfundoi sekretari i LSI-së për qarkun e Gjirokastrës, Besian Pesha.
KOMENTE