English

Meta kërkon mbështetjen e Izraelit për anëtarësimin e Kosovës në BERZH

Almati (Kazakistan), 17 korrik, NOA – Izraeli do të ndihmojë për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH).

Ndihmesa për këtë çështjë i është konfirmuar Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta nga homologun i tij izraelit, Avidgor Liebermann.

Takimi mes dy ministrave të jashtëm është zhvilluar në mbledhjen informale të Këshillit Ministerial të OSBE-së në Kazakistan.

“Duke u ndalur tek zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, z. Meta nënvizoi se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje që garanton stabilitet dhe siguri afatgjatë në rajon. Ai i kërkoi homologut të tij mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, çka u konfirmua nga z. Liebermann”, njofton Ministria e Jashtme.

Lieberman vlerësoi qëndrimin e ekuilibruar dhe konstruktiv të politikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe në Ballkanin Perëndimor. Ai përshëndeti anëtarësimin e vendit në NATO dhe ecurinë e procesit të integrimit Europian të Shqipërisë, njofton Ministri e Jashtme.

Nga ana tjetër Liebermann u shpreh i gatshëm dhe i interesuar për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të rritur investimet izraeliane në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.

Në lidhje me zhvillimet ne Lindjen e Mesme, Meta konfirmoi edhe një herë qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë për zgjidhjen paqësore të konfliktit dhe dënoi aktet e dhunës nga cilado palë që ato vijnë.

NOA

KOMENTE