English

Permbledhje/Aksidenti Në Gjegjan- Deri Në Orën 21:30, 14 Të Vdekur Dhe 16 Të Plagosur

TIRANË, 17 Korrik/ATSH- Mira Shkurta/- Të paktën 14 persona kanë gjetur vdekjen (sipas të dhënave zyrtare deri në orën 21:30) në aksidentin e rëndë që ndodhi të shtunën pasdite kur një autobus me pasagjerë përfundoi në një humnerë në fshatin Dom të komunës Gjegjan në Fushë Arrëz, në veriperëndim të Shqipërisë rreth 200 kilometra larg Tiranës. Numri i saktë i të plagosurëve në këtë aksident tragjik ende nuk dihet, pasi operacioni i shpëtimit po vazhdon edhe në këto orë të mbrëmjes. Deri në orën 21:30, sipas të dhënave zyrtare, janë konfirmuar 16 të plagosur, mes të cilëve dhe fëmijë, një pjesë e të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore. Pjesa më e madhe e të mbijetuarve nga aksidenti i rëndë që ndodhi rreth orës 17:00 në Fushë - Arrëz janë transportuar apo po transportohen në Spitalin Ushtarak në Tiranë me helikopterë të emergjencës civile dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Dy prej tyre janë transportuar në spitalin e Shkodrës. Njëri prej të plagosurëve, bënë të ditur burime zyrtare, gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak, pak minuta pasi mbërriti me helikopter. Fill pas aksidentit të rëndë, ministria e Brendshme ngriti menjëherë grupin e emergjencës. Në vendngjarje, krahas forcave të shumta të policisë dhe punonjës të shëndetësisë janë nisur zv/ministri i Brendshëm Avenir Peka dhe drejtori i Pergjithshem i Policise se Shtetit, Hysni Burgaj. Qeveria shqiptare e ka shpallur ditën e nesërme (18 korrikun), dite zie kombetare, në nderim të viktimave të aksidentit tragjik në Fushë Arrëz. "Një aksident që ka sjellë një zi të rëndë në Pukë dhe mbarë vendin", e cilësoi Kryeministri Sali Berisha këtë ngjarje, pasi u njoh nga afër me gjendjen e të plagosurve që ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spitalin ushtarak në Tiranë. "Dua t'u shpreh familjeve të viktimave, popullit të Fushë-Arrëzit, të Pukës, ngushëllimet më të sinqerta të qeverisë shqiptare, t'i siguroj se mbarë shqiptarët ndajnë sonte zinë e rëndë, që i ka pllakosur familjet e tyre", tha për mediat Berisha, i cili pas aksidentit të rëndë anulloi axhendën e aktiviteteve që kishte planifikuar për fundjavë. Të plagosurit nga ky aksident janë vizituar në mbrëmje dhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili u shpreh për mediat se "ndjehem shumë i lënduar për këtë aksident me përmasa tragjike. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, duke qenë pranë tyre në këto momente të veshtira. Uroj që të plagosurit të dalin nga gjendja kritike". Më pas, për gjendjen e tyre shëndetësore është interesuar dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili zhvilloi një vizitë në spitalin ushtarak ku dhe shprehu ngushëllimet për të afërmit e viktimave. Edhe Konferenca Ipeshkevore e Shqiperise shprehu sot në mbrëmje keqardhjen për tragjedinë e ndodhur ne aksin rrugor Rrëshen-Fushë Arrez bashkë me solidaritetin e saj me familjet e viktimave. "Shpresojme që ata të përjetojnë sa më lehtë këto momente vështirësie që i kanë prekur nga afër. I lutemi Zotit për shpirtin e atyre që kanë vdekur dhe shërim sa më të shpejtë për ata që janë të plagosur", thuhet ne njoftimin ne emer te Imzot Rrok Mirdites, president i Konferences Ipeshkevore te Shqiperise. Mjekët e spitalit ushtarak janë në gadishmëri të plotë për të ndjekur gjendjen e të aksidentuarve, sikurse dhe të strukturave të tjera, për të cilat duhet thënë se kanë pasur një organizim të shkëlqyer. Aksidenti sipas policisë Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 17.00 të ditës së sotme, në fshatin Dom të Gjegjanit dhe mendohet se shkak i tij kanë qenë shirat që kanë përfshirë këtë zonë. Sipas policisë autobusi me pasagjerë i linjës Fushë Arrës- Durrës, me targë PU 13-30 A, drejtohej nga Zef Mark Gjergji, 45 vjeç nga fshati Gojan, komuna Gjegjan i rrethit të Pukës. "Drejtuesi i mjetit, Zef Gjergji, ishte i pajisur me leje drejtimi mjeti dhe kishte një përvojë shumëvjeçare si shofer, por në kohën e udhëtimit kushtet e motit u përkeqësuan", thanë burimet zyrtare të policisë. Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, u ngrit shtabi i punës për menaxhimin e kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë forcat Renea, forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat e policisë së zonës, ndërsa u dërguan dhe forca të tjera shtesë të drejtorive të policive të qarqeve Shkodër dhe Lezhë. Për transportimin e të dëmtuarave, u vunë në dispozicion 6 helikopterë nga Policia e Shtetit, ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes. Policia e Shtetit bëri të ditur në mbrëmje se në spitalin e Gjegjanit janë transportuar trupat e pajetë të shtetasve: Arsen Marku, Paulin Gjoni, Mimoza Hasani, Adem Mustafa, Martin Lleshi, Alma Marku, Albiona Marku dhe një i paidentifikuar. Ndërkohë, në spitalin e Pukës janë transportuar trupat e pajetë të shtetasve: Fran Paloka, Gjovalin Pera dhe nje i paidentifikuar. Sipas konfirmimit nga mjekët, ka humbur jetën në spitalin ushtarak dhe drejtuesi i mjetit Zef Gjergji. Në spitalin Ushtarak në Tiranë janë transportuar disa të plagosur, dhe (ora 21:30) vazhdojnë të transportohen me helikopterë dhe të dëmtuar të tjerë. Aktualisht, në vendin e ngjarjes grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të këtij aksidenti të rëndë, përfundon njoftimi i Drejtorise se Pergjithshme te Policise se Shtetit. /k.sh/
KOMENTE
  • deshira08:38 - 18 Korrik 2010
    Tragjedi e vertete...Ngushellimet e mia...dhe sherim te shpejte te atyre PERSONAVE ...qe ne keto momente perballen me vdekjen !
  • Jetmira 05:41 - 18 Korrik 2010
    Ju ofrojm ngushllimet tona familjeve qe kan humb njerzit e tyre te dashur dhe ju urojme sherim sa ma te shpejt te smurve qe ndodhen ne gjendje te keqe dhe zoti qoft me te gjith ju . Dhe duke ju kerku te falur familjarve te ktyre personave do doja tju thoja qe politikant e shtetit ton paqin facen e zez qe nuk munden te rrin pa i ba pak reklam vetes edhe ne keto momete kaq tragjedike.
  • Anizel23:50 - 17 Korrik 2010
    ..Ngushellime te gjithe familjeve qe humben te afermit e tyre dhe sherim te shpejte te tjereve...