Raportim nga NOA, minutë pas minute
SHIKONI FOTOT TE GALERIA
Tiranë, 17 Korrik 2010 NOA/ Rid Bulku – Policia e Shtetit doli pak çaste më parë me një tjetër deklaratë, duke u ndalur në ngjarjen e rëndë të ndodhur në aksin rrugor Fushë Arrës-Durrës, në fshatin Dom, Gjegjan, ku ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 30 metra poshtë, një autobus me pasagjerë i linjës Fushë Arrës- Durrës.
“Nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e daljes nga rruga të këtij mjeti kanë humbur jetën në Spitalin Ushtarak dhe dy shtetase, përkatësisht Marie Prenga, rreth 60 vjeçe dhe Elona Mustafa, rreth 12 vjeçe”, - konfirmoi policia.
Krahas veprimeve të kryera për dhënien e ndihmës dhe transportimin e të dëmtuarve, nga strukturat e policisë dhe grupi hetimor në vendin e ngjarjes vazhdon puna për zbardhjen e rrethanave dhe të shkakut të këtij aksidenti të rëndë.
Nga hetimet e deritanishme dhe kryerja e ekspertimit auto-teknik të mjetit rezulton se:
- shpejtësia e lëvizjes së mjetit ka qenë brenda normave të lejuara,
- lëvizja është kryer brenda normave të qarkullimit rrugor dhe në kahun e lejuar,
- drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse dhe kishte një përvojë shumëvjeçare në drejtim.
Grupi hetimor është në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore për drejtuesin e mjetit për të përcaktuar gjendjen shëndetësore të tij në momentin e drejtimit të mjetit.
Po ashtu pritet të merren në pyetje dhe të dëmtuarit nga ky aksident (me përmirësimin e gjendjes së tyre shëndetësore), dëshmitë e të cilëve do të hedhin dritë mbi rrethanat e ndodhjes së aksidentit.
Në përfundim të veprimeve të kryera grupi hetimor do të bëjë dhe zbardhjen përfundimtare të shkakut dhe të rrethanave të këtij aksidenti të rëndë.
Trupat e pajetë të 11 viktimave të kësaj ngjarjeje të rëndë janë transportuar në morgun e qytetit të Pukës. Ndërkohë që në morgun e qytetit të Tiranës gjenden trupat e pajetë të 3 shtetasve të tjerë.
Aktualisht po marrin ndihmën e kualifikuar mjekësore pranë Spitalit Ushtarak 10 të dëmtuar nga ky aksident i rëndë, ndërkohë që 2 shtetas të tjerë po marrin ndihmën mjekësore në spitalin e qytetit të Shkodrës, bëri të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Personat që kanë humbur jetën në ngjarjen e rëndë:
1. Arsen Gjon Marku, rreth 8 vjeç, nga fshati Shkozë, Pukë
2. Paulin Lazër Gjoni, rreth 28 vjeç, nga fshati Shkozë, Pukë
3. Mimoza Mhill Dyzeni, rreth 29 vjeç, nga Kurbini
4. Adem Mustafa, rreth 52 vjeç, nga Fushë-Arrësi, Pukë
5. Marte Ndue Lleshi, rreth 31 vjeç, Mamurras
6. Alma Nikollë Marku, rreth 33 vjeç, nga fshati Shkozë, Pukë
7. Fran Llesh Paloka, rreth 22 vjeç, nga fshati Gojan, Pukë,
8. Gjovalin Gjin Pera, rreth 15 vjeç, nga Gjegjani, Pukë
9. Prengë Dyzeni, rreth 38 vjeç, banues në Kurbin,
10. Zef Mark Frroku (Gjergji), rreth 47 vjeç, banues në Gjegjan
11. Marie Prenga, rreth 60 vjeç, nga Shkozë, Pukë
12. Adela Paulin Prenga, rreth 14 vjeç, nga Shkozë, Pukë
13. Lavdie Hysen Mustafa, vjeç 41, nga Fushë-Arrësi, Pukë
14. Edona Adem Mustafa, vjeç 12, nga Fushë-Arrësi, Pukë
r.b/NOA