Presidenti Topi Dekoron Këngëtarin Lirik Kastriot Tusha Me Urdhrin "Mjeshter I Madh"
TIRANË, 17 Korrik ATSH/ Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi tenorin e mirënjohur Kastriot Tusha me Urdhrin "Mjeshtër i Madh", me motivacionin: "Për kontributin e dhënë në kulturën e artin shqiptar, nëpërmjet interpretimit me mjeshtëri si këngëtar lirik në muzikën klasike e në artin muzikor popullor dhe për veprimtari të veçantë në përgatitjen e artistëve të rinj."
Me këtë rast, në ambientet e Amfiteatrit të qytetit të Durrësit u zhvillua mbrëmjen e së premtes ceremonia e dekorimit, në të cilën ishin të pranishëm Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zonja Suzana Turku, Kryetari i Bashkisë së Durrësit, zoti Vangjush Dako, deputetë, autoritete shqiptare nga Mali i Zi dhe personalitete të tjera, artistë, kompozitorë, këngëtarë, etj.
Presidenti Topi, duke vlerësuar punën dhe cilësitë artistike të tenorit të mirënjohur, u shpreh se, " zoti Tusha është një nga zërat më të bukur të muzikës shqiptare, një njeri, i cili gjatë karrierës së tij ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë që ka një diapazon të gjerë, një stil artistik". "Dëshiroj të vlerësoj kontributin e zotit Tusha jo vetëm në nivel artistik, jo vetëm si një artist me diapazon të gjerë në muzikën klasike, në muzikën lirike, në muzikën popullore shqiptare, por edhe në atë të vendeve fqinje, tha Topi.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, zoti Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit i dorëzoi Urdhrin e lartë zotit Kastriot Tusha, i cili, falenderoi plot emocion Presidentin Topi për mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal që iu bë.
Në Amfiteatrin e qytetit të Durrësit, Presidenti i Republikës, së bashku me të pranishmit e ftuar dhe spektatorët e artdashësit e shumtë, ndoqën Koncertin recital "Një mbrëmje romane", me pjesë të përzgjedhura klasike dhe bashkëkohore, të interpretuara me mjeshtëri nga tenori Tusha. Gjatë koncertit interpretuan edhe artistë të njohur të muzikës shqiptare, të shoqëruar nga Orkestra e Filarmonisë së Re të Akademisë së Arteve.a.m