Ps: Kriza Ekonomike Po Thellohet
TIRANË, 17 Korrik/ ATSH/- "Kriza ekonomike në vend po thellohet dhe ndryshimet në buxhetin e vitit 2010 janë të pajustifikuara", u shpreh sot në një deklaratë për mediat deputeti i PS-së, Ilir Beqja.
Deputeti theksoi, se "edhe pas ndryshimeve buxheti do të jetë i dështuar në 6-mujorin e dytë të vitit".
Sipas Beqes "vendi është në krizë dhe këtë e vërteton rritja e papunësisë" duke shtuar se "jeta e qytetarëve është shtrenjtuar pas rritjes së çmimeve, sidomos të energjisë elektrike".
Prezantimi i p/ligjit për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2010 u bë javën e kaluar në Komisionin e Ekonomisë. Ministri i Financave Ridvan Bode vlerësoi se "p/ligji për disa ndryshime në ligjin për buxhetin e shtetit për vitin 2010 vjen pas një reflektimi disa mujor nga ana e qeverisë dhe merr në konsideratë nevojën për maturim në politikat që kanë të bëjnë me vitin 2010".
Ky p/ligj pritet të shqyrtohet të hënën gjatë seancës së posaçme parlamentare./s.d/a.s/