English

Rama: Politika E Privatizimit Të Terreneve, Pengesë Për Kopshte Të Reja

TIRANA, 17 Korrik/ATSH - Gjergji Mima/ - Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama kritikoi sot politikën e qeverisë në sektorin e privatizimeve si penguese për shtimin e mjediseve në shërbim të fëmijëve të kryeqytetit. Gjatë një takimi me drejtues dhe stafet edukatore të çerdheve të Tiranës, kreu i Bashkisë akuzoi qeverinë se, duke privatizuar ndërtesat e çerdheve në Tiranë, ka zvogëluar mundësinë e realizimit të një shërbimi shumë të rëndësishëm për kryeqytetin. Në takim, Rama bëri të ditur se "Bashkia do t'u vijë në ndihmë të gjitha familjeve kryeqytetase, pasi edhe gjatë muajve të verës çerdhet do të qëndrojnë të hapura" dhe gjithashtu falënderoi edukatoret, ekipin e psikologëve dhe te punonjësve sociale për punën e mirë në këto institucione. Kreu i Bashkisë theksoi se shqetësimi i tij i vetëm, janë mundësitë e pakta për gjetje terrenesh që do të shërbenin për ngritjen e kopshteve dhe çerdheve, "për shkak të një politike privatizimesh dhe keqmenaxhimin e përdorimit të pronës në funksion të opinionit publik". Rama njoftoi për ngritjen e 6 çerdheve dhe 5 kopshteve të reja në disa zona të mbipopulluara të Tiranës. /a.ke/
KOMENTE