English

Shkodër-Konkurentet E 'Miss Earth Albania 2010', Mesazhe Në Mbrojtje Të Mjedisit

SHKODËR, 17 Korrik/ATSH-G. Marku/-Konkurentet e 'Miss Earth Albania 2010', spektakli që organizohet për herë të parë në Shkodër, u pritën të shtunën në bashkinë e qytetit, nga kryebashkiaku Lorenc Luka. Kryetari Luka, duke falenderuar organizatorët që zgjodhën Shkodrën për zhvillimin e këtij spektakli, vuri në dukje bukuritë e shumta natyrore dhe vlerat historike të qytetit verior. Nga ana e tyre, bukuroshet e 'Miss Earth Albania 2010', vlerësuan mikpritjen shkodrane, sidomos bukuritë natyrore të qytetit. 32 pjesëmarrëset e konkursit 'Miss Earth Albania 2010', prej disa ditësh janë vendosur në Shkodër, ku krahas provave në teatrin "Migjeni", po vizitojnë qendrat turistike dhe muzeale të qytetit. Konkursi i bukurisë mbart dhe misionin tjetër, atë të mesazhit dhe sensibilizimit për një mjedis të pastër dhe të kulturuar, i cili është promovuar gjatë këtyre ditëve nga pjesëmarrëset në këtë veprimtari. /a.s/
KOMENTE