Topalli Në Zvicër:Ura Komunikimi Kundër Dhunës Ndaj Grave
VE
Tiranë,17 Korrik/ATSH-A.Gegvataj/.- "Shqipëria ka forcuar legjislacionin me ligje që kriminalizojnë dhunën në familje si një krim makabër", deklaroi sot Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ftuara e veçantë në Samitin Ndërkombëtar të Grave Kryeparlamentare me temë "Lufta kundër dhunës së gruas dhe fëmijëve ", që u zhvillua në Bernë (Zvicër).
Zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se znj, Topalli ishte e përzgjedhur si drejtuese e panelit kryesor të diskutimit në këtë konferencë si një Kryeparlamentare që i ka kthyer në beteja kryesore luftën ndaj kancerit dhe dhunës në familje.
Duke ndarë më kryeparlamentaret nga e gjithë bota, përvojën e fushatave sensibilizuese të parlamenit shqiptar, Topalli theksoi se "sfida jonë është që të thyejmë këtë mur heshtjeje duke ndërtuar paralelisht ura komunikimi".
"Te gjithë bashkë duhet t'i përgjigjemi fort dhunës ndaj grave duke penalizuar njëlloj e për cilindo", vijoi më tej Topalli.
Gjatë kësaj konference, kryeparlamentarja Topalli zhvilloi takime me homologet e saj të Europës e të shteteve të tjera, ku biseda u fokusua në bashkëpunimin europian e botëror në luftën ndaj dhunës në familje, kancerit si dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Topalli theksoi se "edukimi i fëmijëve mbetet një prioritet, ashtu si dhe legjislacioni më i fortë për mbrojtjen e të drejtave të tyre" dhe nënvizoi rëndësinë që ka përfshirja e burrave në fushatat sensibilisuese edhe në takime të tilla globale, ndërsa shkëmbeu ide për forcimin e rolit të grave në politikë dhe për lidershipin e tyre në sfida globale politike dhe ekonomike.
Në samitin botëror për luftën kundër dhunës së grave Kryeparlamentarja Jozefina Topalli shoqërohet edhe nga nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle./n.m/